Aktualitet Kërkohej nga Italia, trafikanti i heroinës arrestohet në Kavajë

Kërkohej nga Italia, trafikanti i heroinës arrestohet në Kavajë

Autoritetet policore vunë në pranga një 46-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim nga Italia për trafik heroine. Samuel Garuja u gjet në Kavajë dhe pritet tashmë që të ekstradohet drejt vendit fqinj ku ndaj tij ka një masë sigurie arrest me burg, nga gjykata e Katanzaros.

46-vjeçari akuzohet si pjesë e një grupi kriminal, që dyshohet se gjatë periudhës 2013-2018, ka trafikuar drejt Italisë sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, kryesisht heroinë.

“Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 5”.

Gjatë operacionit, u lokalizua në Kavajë, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar Samuel Garuja 46 vjeç. Gjykata e Katanzaros, Itali, më datë 04.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Grupi kriminal ku merrte pjesë 46-vjeçari, dyshohet se gjatë periudhës 2013-2018, ka trafikuar drejt Italisë, sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, kryesisht Heroinë. Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi”, tha Policia e Shtetit.