Aktualitet Kërkohen mësues të gjuhës shqipe në Greqi: Ambasada shqiptare në Athinë jep...

Kërkohen mësues të gjuhës shqipe në Greqi: Ambasada shqiptare në Athinë jep detajet

Pas takimit të kryeministrit Edi Rama në Athinë, sot ambasada shqiptare në Greqi ka çelur aplikimet për mësuesit e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në shtetin gelen.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë informon çeljen e procesit të mbledhjes së shprehjeve të interesit, për programin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, “Mësues për Greqinë”. Aplikimet janë hapura deri në 30 qershor, ku në program baza do të jetë mësimi i gjuhës shqipe dhe do të shtrihet më pas edhe në mësimin e letërsisë dhe historisë së Shqipërisë.

Në njoftimin e bërë publik për mediat, sqarohet se ky program mbështetet financiarisht nga qeveria shqiptare dhe të gjithë mësuesve të përzgjedhur do t’u lidhet një pagë mujore nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

“Ky program ka në bazën e vet mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e shqiptarëve të Greqisë. Ai do të shtrihet më pas edhe në mësimin e letërsisë dhe historisë së Shqipërisë. Ambasada iu bën thirrje të gjithë mësuesve e mësueseve të licencuar të gjuhës shqipe, që të aplikojnë në adresën bashkëlidhur www.mesuespergreqine.gr (linku do të aktivizohet së shpejti) për të shprehur gatishmërinë dhe paraqitur vetëm dokumentin e licencës së mësuesit.

Gjithashtu, të gjithë ata që janë të interesuar të hyjnë në kurset e trajnimit për të dhënë lëndën e gjuhës shqipe dhe marrë certifikatën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, janë të mirëpritur të aplikojnë.

Ky program mbështetet financiarisht nga qeveria shqiptare dhe të gjithë mësuesve të përzgjedhur do t’u lidhet një pagë mujore nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Aplikimet janë hapura deri në 30 qershor.

Vëllazërisht,

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi”, thuhet në njoftim.