Aktualitet Kërkoheshin për trafik droge, ekstradohen dy persona në Shqipëri

Kërkoheshin për trafik droge, ekstradohen dy persona në Shqipëri

Foto ilustruese

Dy persona janë ekstraduar drejt Shqipërisë. Njëri është kapur në Itali, e tjetri në Greqi. Të dy akuzohen për veprimtari të paligjshme në lidhje me lëndët narkotike.

Gjergji Luli, 32 vjeç u ekstradua nga Italia.

“Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal””, njoftoi policia.

Luli në bashkëpunim me një person tjetër ka transportuar dhe shitur kokainë për 200 mijë euro dy personave. Këta të fundit e kanë shitur drogën në Bergamo të Italisë në periudhën Mars-Nëntor 2016.

Në vitin 2017 është sekuestruar një tjetër sasi kokaine, po në Bergamo që dyshohet se ishte shitur nga Luli dhe bashkëpunëtori i tij.

Ndërsa nga Greqia u ekstradua Arben Cufe, 48 vjeç.

“Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, në vitin 2019, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi policia.

Rezulton se Cufe në bashkëpunim me një person tjetër ka organizuar trafikimin e një sasie lënde narkotike në Greqi. Sasia e lëndës narkotike është transportuar në Greqi, kundrejt pagesës në euro nga 4 shtetas, të cilët janë arrestuar nga Policia.

Dy shtetasit e ekstraduar në Shqipëri iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.