Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për Plarent Dervishaj, nën akuzë për vrasjen e Vajdin Lamajt, Artan Arsit dhe Klodjan Saliut në vitin 2005.
Ndërkohë, kujtojmë që para disa javëve Dervishaj dhe Julian Meçe u ekstraduan nga Dubai. Ata ishin arrestuar më parë nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara, aty ku u lokalizuan falë Interpol Tirana. Ishin pikërisht këta të fundit që bindën autoritetet atje për të marrë dritën jeshile për ekstradimin e dy eksponentëve të rrezikshëm të botës së krimit.
Ndaj Plarent Dervishajt janë ngritur disa akuza nga Prokuroria e Posaçme. Mes ngjarjeve për të cilat ai akuzohet është vrasja e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe Artan Arsit në vitin 2005. Në këto ngjarje, Dervishaj ishte pjesmarrës thotë SPAK, ndërsa në atentatin ndaj ish-prokurorit, Arjan Ndoja në 2019, ai ishte në rolin e porositësit.
Mes personave të kontraktuar ishte Julian Meçe. Ky i fundit dyshohet si një nga autorët e ngjarjes së rëndë ku humbi jetën shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku dhe u plagos vetë Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho.