Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako do të qëndrojë në qeli. Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO për Dakon, bazuar në akuzën e shpërdorimit të detyrës në të paktën dy raste gjatë ushtrimit të detyrës.
Dako u arrestua më 6 qershor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, nën dyshimin se ka shpërdoruar detyrën në dy raste.
E para në lidhje me dhënien e lejes për ndërtimin e një pallati në Durrës në kundërshtim me ligjin dhe e dyta në lidhje me tenderin për bërjen e një projekti për zhvillimin e vijës bregdetare që iu rrit vlera 10-fish.
Njoftimi i SPAK:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Daniela Shirka, sot më 18.07.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 31 akti, datë 10.07.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimet e personave nën hetim V.D., F.E., M.S.(P.), F.H., F.F., A.B., ndaj vendimeve nr. 57, datë 06.06.2023 dhe nr. 61, datë 08.06.2023 (mbi caktimin e masave të sigurimit personal) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 57 akti, datë 06.06.2023 dhe vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personin nën hetim V.D.
– Miratimin e vendimit nr. 57 akti, datë 06.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personat nën hetim F.E. dhe F.H.
– Miratimin e vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personat nën hetim M.S.(P.), F.F. dhe A.B.