Shëndet Këshillat si duhet trajtuar apnea e gjumit!

Këshillat si duhet trajtuar apnea e gjumit!

Çrregullimet e gjumit janë një problematikë mjaft e shpeshtë që hasen pothuajse tek të gjitha grupmoshat. Ndër format e shpeshta të këtyre çrregullimeve është edhe gjendja që njihet ndryshe si apnea. Shkaqet që çojnë në shfaqjen e tyre mund të jenë nga më të ndryshmet, nga gjendje të caktuara shëndetësore, e deri tek stili i përditshëm i jetesës.

Mjekja Ilda Xhelili tregon në vijim të shkrimit llojet më të shpeshta të apnesë, simptomat dalluese, ndërlikimet që sjellin format më të rënduara, si dhe këshillat që duhet të ndiqen për trajtimin e kësaj gjendjeje. Sipas saj, thelbësore në trajtim është gjetja më parë e shkakut të apnesë.

Çfarë kuptojmë me apne të gjumit?

Apnea e gjumit është një çrregullim që karakterizohet nga një ulje, ose pauzë e frymëmarrjes (e rrjedhjes së ajrit gjatë gjumit). Më e zakonshme është tek të rriturit, por haset shpesh edhe tek fëmijët. Apnea është një periudhë kohe gjatë së cilës frymëmarrja ndalet, ose zvogëlohet shumë.

Nëse një person ndalon frymëmarrjen plotësisht ose realizon më pak se 10 për qind të një frymëmarrjeje normale për një periudhë kohore që zgjat 10 sekonda ose më shumë, atëherë në këtë rast flasim për Apne.

Ky çrregullim ndodh zakonisht në gjumë. Kur shfaqet një apnea, gjumi zakonisht ndërpritet për shkak të frymëmarrjes jo adekuate dhe niveleve të dobëta të oksigjenit në gjak.

Ndonjëherë kjo do të thotë që personi zgjohet plotësisht, por ndonjëherë do të thotë që personi del nga një nivel i thellë i gjumit në një nivel më të cekët të tij. Zakonisht apnea matet gjatë gjumit (preferohet në të gjitha fazat e gjumit) gjatë një periudhe dy orëshe.

Në rast se rënia e nivelit të frymëmarrjes nuk është aq e rëndë sa në apnea, atëherë do të flasim në këtë rast për hipopne. Kjo përcaktohet si një pakësim i nivelit të frymëmarrjes jo më shumë se 30 për qind e një frymëmarrjeje normale.

Si klasifikohet apnea e gjumit?

Ekzistojnë tre lloje të ndryshme të apnesë së gjumit: Apnea qëndrore e gjumit, Apnea obstruktive e gjumit, si dhe Apnea e përzierë (kur janë të pranishme  dy llojet e para së bashku).

Në cilat raste kemi të bëjmë me apnea qendrore dhe ku shfaqet më shpesh kjo formë?

Gjatë gjumit, truri udhëzon (u dërgon sinjale) muskujve të frymëmarrjes që të lëvizin për kryerjen e aktit të frymëmarrjes. Apnea qendrore e gjumit ndodh kur truri nuk i dërgon sinjale muskujve për të marrë fryme dhe në këtë rast nuk ka përpjekje muskulore për të marrë frymë.

Kjo mund  të ndodhë më shpesh tek foshnjat e lindura para kohe (para 36 javësh), por nuk përjashtohet as tek ato të lindura në kohë. Këto përkufizohen si apnea që zgjasin më shumë se 20 sekonda dhe që shoqërohen me ndryshime të rrahjeve të zemrës, ulje të nivelit të oksigjenit në gjak ose hipotomi (relaksim i përgjithshëm i muskujve të trupit). Apnea qendrore e gjumit nuk është e njëjta gjë me sindromën e vdekjes së papritur të foshnjave.

Tek të rriturit, apnea qendrore ndodh më tepër tek ata që kanë probleme me zemrën, sëmundje të enëve të gjakut të trurit, ose sëmundje të lindura (kongenitale), por mund të shkaktohet edhe nga mbidozime të medikamenteve të ndryshme. Në rrethana normale, truri nëse ndjen mungesë oksigjeni, ose tepricë të dioksidit të karbonit në gjak do të nxisë shpejtimin e frymëmarrjes. Personat me sëmundje të zemrës ose të mushkërive (në varësi nga rëndesa e sëmundjes) kanë një rritje të vazhdueshme të dioksidit të karbonit në gjakun e tyre në çdo kohë.

Kur ka rritje të tilla kronike, truri fillon të injorojë nivelet e oksigjenit dhe monitoron nivelet e dioksidit të karbonit në gjak për të përcaktuar se kur do të jetë frymëmarrja tjetër, kontrolli i frymëmarrjes bëhet pra më i ngadaltë për t’iu përgjigjur ndryshimeve të niveleve të gazrave në gjak.

Ky model karakterizohet nga cikle të shpejta të frymëmarrjes të ndjekura nga ngadalësime të saj dhe apnea. Ky model është mjaft i shpeshtë tek personat që vuajnë nga pamjaftueshmëria e punës së zemrës ose probleme të rënda të mushkërive.

Me çfarë shenjash shoqërohet apnea obstruktive dhe kur ndodh?

Apnea obstruktive e gjumit ndodh kur truri i dërgon sinjale muskujve dhe muskujt bëjnë përpjekje për të marrë frymë, por kjo rezulton e pasuksesshme pasi rrugët e rrjedhjes së ajrit janë të bllokuara. Si rezultat i dështimit të kësaj përpjekjeje bie niveli i oksigjenit në gjak. Më në fund, kur oksigjeni që arrin në tru zvogëlohet, truri dërgon sinjale që trupi të zgjohet dhe të marrë frymë.

Ky moment është ai që partneri i shtratit vë re një heshtje të ndjekur nga një gërhitje e fortë (si rezultat i kalimit të vrullshëm të ajrit). Gjatë një frymëmarrjeje normale ajri kalon nëpërmjet hundës drejt qiellzës së butë, në bazën e gjuhës, në muskujt e fytit, kordat e zërit dhe në fund në mushkëri.

Një pengesë e rrjedhjes së ajrit në cilëndo prej këtyre niveleve mund të çojë në apnea (për shembull devijacioni i septumit të hundës, zmadhimi i bajameve, polipet e hundës, inflamacionet e mukozës në nivele të ndryshme të rrugëve të ajrit, çrregullime të relaksimit të muskulaturës, etj).

Këta pacientë zakonisht nuk raportojnë zgjimin gjatë natës. Shpesh, gjatë apnesë truri zgjohet vetëm nga një gjumë i thellë në një nivel të cekët të gjumit. Pra pacienti mund të qëndrojë në gjumë, por gjumi i thellë që është i rëndësishëm për t’u qetësuar është ndërprerë. Prandaj, këta pacientë ndihen shpesh të lodhur gjatë ditës dhe raportojnë për gjumë të shqetësuar.

Po forma e përzierë kur ndodh?

Sikundër e përmendëm edhe më lart, apnea e përzierë e gjumit ndodh kur ekziston edhe apnea qendrore e gjumit, edhe apnea obstruktive e gjumit (një kombinim i të dyja formave).

Cilat janë simptomat konkrete klinike të apnesë së gjumit?

Pak a shumë u përmendën edhe më sipër, por do doja t’i përmblidhja më konkretisht. Shenja më e zakonshme dhe më bezdisëse për të tjerët është gërhitja e ashpër. Dëshmitarët e apnesë e përshkruajnë atë si një ndjesi mbytjeje dhe të frikshme. Gjumi është i çrregullt dhe i shqetësuar.

Si rezultat i gjumit të pamjaftueshëm gjatë natës, pacienti ndjehet i përgjumur gjatë ditës, i lodhur, me dhimbje koke, nervoz, ka vështirësi në përqendrim, ka ndryshime të humorit dhe të personalitetit, çrregullime të funksionit seksual dhe deri në gjendje ankthi dhe depresioni.

Apnea obstruktive e gjumit mund të jetë një faktor rreziku për zhvillimin e hipertensionit, dështimin e punës së zemrës, çrregullimet e ritmit të zemrës, presionit të rritur në mushkëri, refluksit gastro-ezofageal, depresionit, etj.

Si trajtohet apnea e gjumit?

Trajtimi është mjaft kompleks në varësi të shkaktarëve. Në rastin e apnesë obstruktive është mjaft i rëndësishëm përcaktimi i nivelit të bllokimit që duhet bërë me shumë kujdes nga mjekët specialistë.

Këtu lind shpesh nevoja e ndërhyrjeve kirurgjikale. Kujdes i veçantë duhet treguar për trajtimin e infeksioneve kronike të rrugëve të frymëmarrjes. Pra, mund të lindë nevoja e konsultimit me mjekë të specialiteteve të ndryshme.

A ndikon obeziteti në shfaqjen e këtij çrregullimi?

Obeziteti është një faktor i njohur kontribues në apnenë e gjumit. Vlerësohet se një shtim 10 për qind i peshës e rëndon mjaft apnenë. Prandaj një mënyrë jetese e shëndetshme dhe rënie në peshë do të përmirësojnë ndjeshëm apnenë obstruktive të gjumit. Fatkeqësisht shumica e njerëzve që vuajnë nga apnea janë të lodhur dhe kanë shumë pak energji për aktivitet fizik.

Kjo krijon një rreth vicioz, pasi sa më pak të ushtrohen fizikisht (për shkak të lodhjes së vazhdueshme) aq më shumë do të shtojnë në peshë. Në këto raste luajnë rol dietat ushqimore të shëndetshme të rekomanduara nga mjekët dietologë.

Çfarë këshillash mund të ndjekim për të shmangur këtë shfaqjen e apnesë?

Shpesh apnea ndodh në pozicione të caktuara të gjumit, zakonisht në shpinë. Në këto raste do të rekomandohej fjetja në anë (në brinjë). Rekomandohet gjithashtu higjiena e gjumit e njohur për përmirësimin e cilësisë së përgjithshme të tij si për shembull: zvogëloni ndriçimin dhe zhurmat në dhomën e gjumit, shmangni leximin ose shikimin e TV në shtrat, shmangni ngrëniet dhe ushqimet para gjumit, mbani aktivitetet e lidhura me punën jashtë dhomës së gjumit.

E rëndësishme është të theksohet se në rastet kur apnea e gjumit mund të shkaktohet nga gjendje të tjera shëndetësore themelore rekomandohet së pari trajtimi i duhur i kushteve të tilla (në mënyrë të veçantë sëmundjet kronike të zemrës dhe të mushkërive dhe largimi apo trajtimi i pengesave në rrugët e kalimit të ajrit).