Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas vendimit të Këshillit të Europës për të anuluar misionin vëzhgues për zgjedhjet e 30 qershorit për shkak të pasigurisë.
Basha tha në deklaratën për mediat se kjo nuk ndodhte nga koha e komunizmit, ndërsa theksoi se ky vendim ka ardhur pasi 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri.
“Këshilli i Europës është institucioni kryesor i monitorimit të zgjedhjeve lokale në Europë. Ky është një distancim i qartë nga votimet farsë që kërkon të bëjë Edi Rama.
Në Shqipëri nuk ka për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme për aq kohë sa ata që kanë vjedhur zgjedhjet nuk dalin para drejtësisë.
Ne nuk do të lejojmë votime të paligjshme dhe farsë. Ne nuk do të lejojmë që Rama t’i shkojë deri në fund planit të tij kriminal. Asnjë hap pas. Ju ftoj të jemi bashkë në këtë betejë vendimtare për të ndalur rrëshqitjen e vendit në humnerë dhe për të hapur të gjithë bashkë rrugën e shpresës.
Fundi i Ramës është pranë. Bashkë kemi mundësitë, kemi forcën për ta nxjerrë vendin nga gremina ku ka rënë”, u shpreh Basha.