Këshilli i Mandateve ka vendosur sot “pro” kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Kërkesa e SPAK u aprovua me 5 votat “pro” të mazhorancës të cilave iu shtua edhe aprovimi i Enkelejd Alibeajt në emër të Partisë Demokratike.
Kështu, Këshilli i Mandateve vendosi me një votim unanim për zhveshjen e Sali Berishës nga imuniteti që i siguron mandati i deputetetit, për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë.
Tashmë, pas mbledhjes së sotme do të mbahet votimi në Kuvend në seancës së enjtes, gjatë së cilës do të mund të shohim edhe sesi do të votojnë demokratët.
Ky votim mund t’i hapë rrugën Strukturës së Posaçme për caktimin e një tjetër mase sigurie për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Për kreun e “Rithemelimit”, SPAK ka kërkuar ndryshim të masës nga “detyrim paraqitjeje” në “arrest në burg”, ose “arrest në “shtëpi.”
Më herët gjatë seancës, Enkelejd Alibeaj deklaroi votën e tij “pro”, në emër të Partisë Demokratike, duke argumentuar se ky ka qenë standardi i mbajtur nga të djathtët që në krye të herës. Alibeaj kërkoi po ashtu nga SPAK që të mos “luajë” me standarde të dyfishta dhe të marrë në shqyrtim kallëzimet që janë bërë në emër të Edi Ramës.