Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarin e ri të partisë më datë 13 Qershor, sikurse u caktua paraprakisht nga Kryesia, ndërsa Lulzim Basha nuk e dha dorëheqjen.
Gjithashtu, u miratua me 238 vota pro dhe asnjë kundër ngritja e Komisionit Zgjedhor për të analizuar shkaqet e humbjes në zgjedhjet e 25 Prillit.
Në përfundim të mbledhjes, zëri kritik dhe i vetëshpalluri si kandidat për kryetar, Fatbardh Kadilli, tha se Partia Demokratike duhet të ndryshojë. Sipas tij, zërat kritikë që kërkuan largimin e Lulzim Bashës nuk u dëgjuan, megjithatë u vendos për zgjedhje në parti.
“Qoftë Kryesia, qoftë Këshilli diskutuan gjatë dhe me përgjegjësi pavarësisht mendimit. Zëra kritikë arritën ta deklarojnë qartë kërkesën për dorëheqjen e kryetarit. Zërat kritikë nuk u dëgjuan. Jam i vendosur t’i qëndroj projektit për një PD të pastër, të bashkuar, për një PD fituese. Nuk ndryshojmë dot kundërshtarët, do të ndryshojmë veten. Qytetarët nuk mund t’i akuzojmë, qytetarit duhet t’i japim shpresë. Do t’ia dalim, demokracia është e vështirë, është e gjatë, prandaj do ta mbrojmë. Jam i vendosur për t’i shkuar deri në fund përtëritjes të energjive jo të Partisë Demokratike, por të gjithë shoqërisë shqiptare”, deklaroi Kadilli.
Gjatë diskutimeve në këtë mbledhje, iu ofroi demokratëve dorëheqjen e tij, por me kushtin nëse mendojnë se zgjedhjet kanë qenë të rregullta.
“Nëse për ju zgjedhjet janë në rregull, atëherë unë jap dorëheqjen tani. Ose zgjedhjet janë të vjedhura dhe vazhdojmë në betejë”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera Basha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së.