Raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe Shtëpisë së Bardhë duket se janë përkeqësuar edhe më shumë pas një telefonate të Këshilltarit të Presidentit Trum për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brian dhe kryeministrit Albi Kurti mbrëmjen e së martës.
Duke cituar burime të sigurta, “Gazeta Express” shkruan se O’Brian ka kërkuar heqjen e menjëhershme të taksës, duke e kërcënuar me anulimin e investimeve ekonomike në Kosovë dhe jo vetëm. Sipas mediave në Kosovë, O’Brian ka deklaruar se SHBA po shqyrton tërheqjen e prezencës ushtarake amerikane në Kosovë
Të hënën, kryeministri i Kosovës nuk i ishte përgjigjur një thirrjeje telefonike që i kishte ardhur nga Shtëpia e Bardhë. Njerëzit e afërt të Albin Kurtit kishin deklaruar në media se thirrja kishte ardhur shumë vonë, dhe Kurti nuk ndodhej në kryeministri. Megjithatë, sipas Gazetës Express, O’Brian e ka telefonuar sërish të martën.
“Kryeministri Kurti i është përgjigjur negativisht kërkesës së këshilltarit Robert O’Brian, për të hequr tarifën ndaj mallrave serbe,. Ai ka thënë se z. O’Brian që nuk mundet ta detyrojë të bëjë një gjë të tillë”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës amerikane, i cili ka njohuri për përmbajtjen e bisedës.
Ky zyrtar, ka thënë Gazetës Express se po gjatë asaj bisede, këshilltari për Siguri Kombëtare i Donald Trump, i ka bërë me dije kryeministrit Kurti që “SHBA-ja nuk do ta ndihmojë më ekonomikisht Kosovën”, nëse ai do të vazhdojë t’i mbajë në fuqi tarifat. “Qëndrimi është i qartë: Kosova po e dëmton veten ekonomikisht duke i mbajtur tarifat”, mësohet të ketë thënë ai.
Por sipas raporteve, edhe kryeministri Kurti e ka pasur shumë të qartë këtë pozicion të Amerikës, nuk është tërhequr nga qëndrimi i tij.
“Në bisedë e sipër Kurtit i është rikujtuar edhe prezenca e trupave amerikane në Kosovë. Këshilltari për Siguri Kombëtare i ka treguar kryeministrit të Kosovës se kjo prezencë është duke u shqyrtuar, gjithashtu”, ka treguar ky burim.
Gazeta Express ka mësuar që tashmë projektet që planifikoheshin të realizoheshin Sfidave të Mileniumit, një nisme e SHBA-së janë pezulluar. Bëhet fjalë për dhjetëra miliona euro.
Raportet e kryeministrit Kurti me të dërguarin special të presidentit Trump, Richard Grenell, janë tensionuar shumë kohëve të fundit, për shkak se i pari i Qeverisë së Kosovës nuk ka hequr plotësisht tarifën ndaj mallrave serbe.
“Pas Grenell, O’Brian është zyrtari i dytë i lartë amerikan të cilin Kurti e ka kthyer prapa”, shkruan Express.