Asqeri Mandri është 34-vjeçari që u arrestua sot nga Policia e Tiranës pasi prej muajsh dhunonte e mbante mbyllur në shtëpi gruan e tij. Siç bën me dije gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, i riu kishte 6 muaj që ishte kthyer nga Gjermania dhe prej atëherë ai kishte vënë kamera në ambientet e banesës në Kodër Institut. Në çdo dhomë kishte vendosur nga 3 kamera në kënde të ndryshme, përfshirë edhe ambientet jashtë.
Mësohet se pasi u kthye nga jashtë, ai ngeli papunë dhe kjo gjë e shtyu të pengonte dhe bashkëshorten të punonte. Ajo ka deklaruar para bluve se nuk ka shkuar 2 javë në punë prej xhelozisë, por është rikthyer.
Kur u pyet pse e monitoronte gruan, Mandri është shprehur “kështu ma dha truri”. Ndërkohë bashkëshortja deklaron para hetuesve se pas kthimit nga Gjermania ai ka shfaqur shenja të theksuara xhelozie dhe gjithë kohën e shante duke e akuzuar edhe për tradhti. Çifti ka 4 fëmijë, të cilët bashkë me nënën kanë rënë pre e dhunës së vazhdueshme.
Denoncimin në polici e ka kryer bashkëshortja, e cila ka kërkuar ndihmë dhe agjentët e Komisariatit nr. 3 kanë gjetur shtëpinë të monitoruar me kamera. Në pamjet e kamerave të sigurisë shfaqet 34 vjeçari i cili në momente të ndryshme teksa luante me fëmijët ngrihej dhe ushtronte dhunë ndaj gruas. Edhe vëllai i tij rezulton i dënuar për dhunë në familje.
Kujtojmë se 10 ditë më parë, një rast thuajse identik u zbulua në kryeqytet ku Jetnor Zhaboli kishte ngujuar brenda banesës 3 gratë e familjes./Tv Klan