Kristjan Asllani ishte autori i golit të vetëm dhe të fitores për Shqipërinë ndaj Gjeorgjisë.
Pas ndeshjes, Asllani e pranoi se ishte një ndeshje e vështirë, por të bashkuar ia dolën të marrin fitoren.
Sipas tij, Shqipëria ndaj Gjeorgjisë ishte më shumë skuadër, duke mbrojtur të gjithë bashkë për të marrë 3 pikët.
Ky gol erdhi si dhuratë për ditëlindjen e vëllait të vogël të Kristjanit.
Në prononcimin e dhënë pas kësaj sfide, mesfushori që luan për Interin në Serinë A, deklaroi:
“U zgjova në mëngjes, edhe i thashë Tosit, më bëj një bluze për ditëlindjen e vëllait. Këtë bluzën do ta mbaj gjithmonë. Ishte një ndeshje shumë e vështirë. E dimë që në shtëpi janë në skuadër e organizuar. E dinim që do luanin kështu. Sot ishim më të motivuar nga fillimi. Kjo është Shqipëria.
Kur fiton është mirë, por i dimë kritikat pas ndeshjes me Çekinë, sepse ky është futbolli. Ne jemi këtu të gjithë dhe jemi bashkë. E dinim që do të vinim këtu për të marrë pikë dhe ia dolëm.
Kur ekipet mbyllen, nuk prek shumë topa. Preferoj të ulem unë dhe të marr topin. Nuk rri mirë në fushë nëse nuk prek top. Tërhiqem unë dhe ngrihet Ramadani. Te goli, e dija që topi do të shkonte te Tuci, më pasoi dhe shënova.
Të gjithë ne japim maksimumin. Unë kur futem në fushë, futem për të fituar. Ndaj Çekisë, pësuam shpejt. Sot ishim skuadër, u mbrojtëm mirë dhe ia dolëm. Ishte shumë e vështirë. Duhet të dalim të lumtur nga kjo ndeshje”, deklaroi Asllani.
“Silvinjo na ka bërtitur shumë herë për të mbyllur pasimet brenda dhe më në fund ia dolëm.
Rëndësi ka të shënoj këtu që luaj më përpara, duhet të jem më aktiv në fazën sulmuese që të ndihmoj me gola dhe asist shokët e skuadrës.
Të them të drejtën kjo fitore ndikon se po të kishim humbur do ishte shumë e vështirë pastaj të dilnim apo mendonim për diçka më të madhe në këtë grup. Fituam, erdhëm për tre pikë, i morëm, duhet të jemi të lumtur. Shkojmë të lumtur në klube, kthehemi në nëntor, në shtëpi, shpresojmë me rezultat pozitiv.
Jam një lojtar që ka qejf të gjuajë kur sheh portën, por nuk ka rëndësi kush bën gol, kush shënon apo jo. Ka rëndësi të bëjmë ndeshjen si sot. Në fund ishim përtokë se u lodhëm, por ia dolëm. Tifozët erdhën deri në Gjeorgji dhe i falënderojmë”, tha Asllani pas ndeshjes.