Zhvilluesit e softuerëve zunë vendin e parë në listën e US News & World Report për punët më të mira të vitit 2023, nga vendi i pestë që ishin vitin e kaluar – pavarësisht nga shkurtimet e mëdha të stafit në kompanitë kryesore të teknologjisë, si Meta Platforms, Salesforce dhe Amazon.com.
US News analizoi të dhënat nga Byroja e Statistikave të Punës për të renditur profesionet duke u bazuar te kërkesa, mundësitë e rritjes, paga mesatare, norma e punësimit, perspektivat e ardhshme të punës, niveli i stresit dhe balanca punë-jetë.
Siguria në punë është një ndër kërkesat kryesore për vitin 2023.
Në një kohë kur frika nga recesioni po rritet dhe kërcënimi për largime të mëtejshme nga puna është gjithnjë i pranishëm, karriera në kompanitë e mëdha të teknologjisë e ka humbur shkëlqimin e saj të dikurshëm, për të gjithë ata që kërkojnë sektorë më të qëndrueshëm.
Sipas një sondazhi të fundit nga ZipRecruiter, mbi një e katërta e punonjësve të teknologjisë që janë larguar nga puna, u zhvendosën në një industri tjetër.
Për ata që duan të vazhdojnë të qëndrojnë në sektorin e teknologjisë, konkurrenca po shtohet pasi kandidatët po garojnë për një numër gjithnjë e më të vogël pozicionesh të lira.
Megjithëse perspektiva mund të jetë përkeqësuar disi për zhvilluesit e softuerëve në sektorin e teknologjisë, mundësitë janë ende të shumta në kompanitë e tjera.
Në pamundësi për të konkurruar me pagat e Silicon Valley, bizneset në industritë tradicionale, duke filluar nga financa e deri te shitjet me pakicë, kanë vuajtur prej kohësh nga mungesa e inxhinierëve të softuerëve dhe tani janë të etura për të punësuar talentet më të mira.
Për ata që kërkojnë siguri maksimale në punë, US News veçon një fitues evident.
Sipas raportit, 13 nga 20 profesionet më të mira dhe me sigurinë më të lartë në vendin e punës janë në sektorin e shëndetësisë, ku renditen punë si infermierë apo menaxherë të shërbimeve mjekësore dhe shëndetësore.