Udhëheqësi i republikanëve Kevin McCarthy është betuar sot si Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të 118-të.
CNN shkruan se pas debateve të shumta dhe 13 raundeve të dështuara të votimit, McCarthy siguroi vota të mjaftueshme për të qenë Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së. Ai mori 216 vota në raundin e 15-të të votimeve.
Në fjalimin e tij të parë si kryetar i Dhomës, Kevin McCarthy u tha kolegëve të tij: “Tani fillon puna e vështirë. Ajo që ne bëjmë këtu sot, javën tjetër, muajin tjetër, vitin e ardhshëm, do të vendosë për mënyrën si do të ecë puna më tej. Si kryetar i Dhomës, përgjegjësia ime nuk është vetëm ndaj partisë, konferencës apo edhe Kongresit tonë. Përgjegjësia ime, përgjegjësia jonë është ndaj vendit”.
McCarthy tha po ashtu se në fokus të punës është që SHBA të garantojë rezultate të mira në fushën ekonomike duke konkurruar Kinën.
Tani që Dhoma e Përfaqësuesve ka një kryetar pas një bllokimi disaditor, nis organizimi i komiteteve të udhëhequra nga Partia Republikane (GOP).
Në mbledhjen që pritet të mbahet të hënën, Dhoma do të njihet me axhendën e re të punës, hetimore dhe legjislative.
Axhenda legjislative: Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve do të jenë të kufizuar në fuqinë e tyre për të kaluar projektligjet përmes Kongresit, ku presidenti mund të ushtrojë të drejtën e vetos mbi legjislacionin.
Në një intervistë ekskluzive për CNN përpara zgjedhjeve, Kevin McCarthy tha se ka disa plane pas marrjes së pushtetit.
Këto plane përfshijnë:
-Trajtimin i inflacionit
-Lufta kundër krimit dhe siguria kufitare
-Çështje politike si financimi i qeverisë, që sipas McCarthy do të testojë aftësinë e republikanëve dhe demokratëve për të punuar së bashku.