Cristiano Ronaldo dhe Khabib Nurmagomedov janë miq prej vitesh. Admirimi mes tyre është i njohur dhe ata flasin rregullisht, si për karrierën e tyre, ashtu edhe për jetën personale. Rusi ka zbuluar një nga rrëfimet, që sulmuesi i Juventusit i ka bërë në një nga bisedat e shumta. Ai zbulon shqetësimin që CR7 ndjen për djalin.
“Ne bisedojmë pothuajse çdo ditë. Kur u takuam, patëm një bisedë se nga e merrnim motivimin tonë. Ronaldo më tha se dëshiron që djali të jetë pasardhësi i tij dinjitoz në futboll. Kur Cristiano ishte fëmijë, ëndërronte vetëm të kishte një palë këpucë sporti. Djali i tij, nga ana tjetër, ka gjithçka. Sidoqoftë, Cristiano ka frikë se djali mund të mos ketë të njëjtën uri, të njëjtin vullnet si ai.
Kur ke gjithçka, është e vështirë të gjesh motivimin e duhur. Më pëlqente ta dëgjoja këtë nga goja e Ronaldos. E kuptova se nuk është një person që ngopet me një, dy ose tre tituj. Ai sapo fitoi titullin e tij të 30-të, është shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave. Unë mendoj se do të vazhdojë edhe për dy ose tri sezone të tjera”, – tha ylli i UFC.