Bota Khamenei fjalim me pushkë në dorë: Irani dhe aleatët e tij nuk...

Khamenei fjalim me pushkë në dorë: Irani dhe aleatët e tij nuk do të zmbrapsen nga Izraeli. Kombet myslimane të bashkohen

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, kishte një pushkë pranë tij gjatë fjalimit në Teheran

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, kishte një pushkë pranë tij gjatë fjalimit në Teheran

Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei, tha të premten se vendi i tij dhe mbështetësit rajonalë nuk do të zmbrapsen para Izraelit, në një paraqitje vetëm disa orë pas një sulmi izraelit në Bejrut, që mendohet të ketë shënjestruar trashëgimtarin e udhëheqësit të vrarë të Hezbollahut të mbështetur nga Teherani.

“Veprimi brilant i forcave tona të armatosura disa net më parë, ishte plotësisht i ligjshëm dhe legjitim”, tha udhëheqësi iranian Khamenei në një paraqitje të rrallë në lutjet e së premtes në Teheran, duke iu referuar sulmeve me raketa të Iranit mbi Izraelin të martën.

“Izraeli nuk mund të dëmtojë seriozisht Hezbollahun dhe Hamasin. Politika e armikut është përça dhe sundo. Ata i kanë zbatuar këto politika në mënyra të ndryshme në vendet myslimane, por sot kombet janë zgjuar; sot është dita që mund ta kapërceni këtë mashtrim të armiqve të Islamit dhe të myslimanëve. Politika e Kuranit për myslimanët është që qeveritë islame duhet të solidarizohen me njëra-tjetrën”, tha Khamenei.

Ajatollah Ali Khamenei u bëri thirrje grupeve të rezistencës, përfshirë libanezët dhe palestinezët, të rezistojnë dhe të forcojnë unitetin e tyre kundër “ujkut gjakatar”, Izraelit. Më pas ai siguroi se boshti i Rezistencës “nuk do të tërhiqet, ne duhet të vazhdojmë derisa të eliminohet ekzistenca e turpshme e sionistëve”.

“Durimi strategjik ka mbaruar. Kombet myslimane kanë një “armik të përbashkët” dhe duhet të “ngjeshin një brez mbrojtës” nga Afganistani në Jemen dhe nga Irani në Gaza dhe Liban”, theksoi lideri suprem iranian.

Sakaq, një burim i afërt me Hezbollahun i tha AFP se lideri i vrarë, Hassan Nasrallah, u varros “përkohësisht” në një vend sekret. Hera e fundit që Khamenei drejtoi lutjet e së premtes ishte gati pesë vjet më parë për të përkujtuar vdekjen e Qasem Soleimani, komandantit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, i cili u vra nga SHBA në një sulm ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit.

Ndërkohë, presidenti amerikan Joe Biden tha të enjten se përgjigja e Izraelit mund të përfshijë goditjet në objektet e naftës të Iranit.

Biden theksoi se nuk beson se do të ketë një “luftë gjithëpërfshirëse” në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli po shqyrton mundësitë për hakmarrje, por sipas tij, duhet bërë më shumë për të parandaluar një gjë të tillë.