Nga Lutfi Dervishi
Majmuni Kiko e priti me shumë qetësi lajmin për rikthimin e basteve në Shqipëri. “Njerëzit kanë nevojë më shumë për një gram fat sesa për një kilogram flori”, tha Kiko duke kruar kokën. Koha e gjatë e qëndrimit në Shqipëri e kishte bindur se fati është motorri që vë në lëvizje fantazinë e shqiptarit. Dhe fatin nuk ka ligj që e ndalon.
Shumë gabim ka bërë qeveria që më 2013 ndaloi bastet dhe lojërat e fatit! Atëherë operacionin e quajti “Fundi i marrëzisë”. Sot gjërat kanë ndryshuar. Është koha që marrëzia të marrë fund. Në çdo vend të Ballkanit të Hapur lejohen bastet. Operacioni i ri duhet quajtur: Open Ballkan- Reopen Baste!
Qeveria nuk u konsultua as me grupet e interesit as me popullin kur i mbylli bastet. Po të ishte konsultuar, ose më saktë të kishte menduar sado pak do të skuqej deri në rrëzë të veshit për marrëzinë e mbylljes së basteve. Mund të bësh çdo betejë dhe kjo qeveri po i kalon mandatet nga njëra betejë në tjetrën, por nuk mund të bësh betejë me fatin – tha Kiko dhe vendosi dy putrat mbi krye!
A nuk janë shqiptarët që thonë: Ky paska qenë fati im! Kështu paska qenë e shkruar…! Çfarë fati paske patur? A nuk urojnë shqiptarët paç fatin e ….?
Po t’i heqësh fatin shqiptarit e bën fatalist. Nuk thonë kot që fati i madh nuk ka nevojë për shpjegime. Fati pranohet nuk gjykohet! Por çfarë ndodhi? U arrit deri aty sa u kërkua shpjegime për fatin. Kulmi! Dhjetëra prokurorë dhe gjyqtarë në mënyrë kriminale u morën në pyetje vetëm pse kishinfat. Njëri thoshte kam fituar 100 mijë dollarë në kazino, tjetri 150 mijë dhe prap i hoqën nga puna. Të paktën gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve të pavetuar nuk do të ndëshkohen më se kanë patur fat dikur dhe kanë fituar në bixhoz.
Fati i madh nuk do shpjegime – përsëriti Kiko, ndryshe si do të shpjegohet që disa njerëz krejt të rëndomtë dhe pa asnjë cilësi janë ministra dhe drejtorë të rëndësishëm? Eshtë çështje fati! Si shpjegohet që disa njerëz që duhet të ishin diku tjetër janë bërë deputetë? Eshtë çështje fati dhe pikë. Si shpjegohet që disa njerëz të rëndomtë janë bërë investitorë strategjik dhe oligarkë? Eshtë çështje fati dhe dy pika. Si shpjegohet që qeveritarët këtu janë më të pasur se biznesmenët? Eshtë thjesht fat dhe këtu vendosim tre pika…
Po pse pak njerëz të zot ka ky vend? Ka plot, njerëz të zot, të mençur, të plotësuar që i kanë të gjitha, por thjesht i mungon pak fat. Fat që për 9 vite qeveria u mundua ta bllokonte me ligj.
Në vrullin e pritjeve entuziaste të sportisteve kampionë si Luiza Gegës që tek e fundit vraponte dhe nuk është se bëri ndonjë shpike, apo të atij boksierit që mori grushta më shumë se sa dha, pse të mos mikpresim shqiptarët kampione europe në baste dhe lojëra fati? U bëjmë pritje madhëshore, i bëjmë kolonelë nderi, qytetarë nderi dhe i shpallim edhe krenari kombëtare.
Në këto kohë krize vendi nuk ka nevojë për llafe e mend, por ka nevojë për para. Pikë. Para ka plot, por po bllokohet nga të gjitha anët. BE thotë mos shisni pasaporta të arta. BE thotë mos bëni amnisti fiskale. Po BE thotë luftoni paratë e krimit.Paraja nuk ka atdhe. Paraja nuk ka ngjyrë! Paraja nuk mban erë- thonin romakët. Por burokratët në BE e kanë harruar.
Me lojërat e fati dhe kazinotë paraja do të respektohet si kurrë më parë. Supozojmë se një njeri ka para të madhe në dorë, por pengohet të investojë. Atëherë që nesër ai thërret në ndihmë fatin dhe fiton në kumar. Kazinoja ka nevojë të “humbë” para, lojtarët kampionë kanë nevojë të fitojnë para. Ja ku jemi në një situatë ku fitojnë të gjithë.
Majde Kiko propozoi që bixhozi të futet në tekstet mësimore që të garantohet e ardhmja e vendit.
Për gjithë ata që bëjnë moral për çështjen e fatit Kiko u kujton një fragment të poezisë së famshme të Kiplingut. “Nëse…”
“Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…
Këto vargje duhen futur në provimet e maturës dhe duhen shkruar në malin e Shpiragut ta shohin të gjithë shqiptarët se çfarë është kumari apo bixhozi siç i thonë me përçmim disa njerëz që nuk e kuptojnë vlerën e parasë në kohë krize.
Megjithatë nga zhvillimet e ditës Kikos i mbeti një pyetje pa përgjigje: këta duan të kthejnë bastet për të ndihmuar sportin apo duan t’i kthejnë bastet në sport kombëtar?