Kandidati i majtë Gabriel Boriç ka fituar zgjedhjet presidenciale të Kilit, pas fitores kundër kandidatit nga ekstremi i djathtë, José Antonio Kast. Kast pranoi humbjen kur ishin numëruar rreth gjysma e votave.
Në fund të numërimit të votave, Boriç arriti që të fitonte 56%, ndërsa Kast mori vetëm 44% të votave.
Zgjedhjet kanë qenë një nga më të polarizuarat në dekadat e fundit dhe vijnë pas protestave masive antiqeveritare.
Të dy kandidatët ofruan vizione krejtësisht të ndryshme për vendin dhe të dy janë të rinj në politikë dhe nuk kanë qenë kurrë pjesë e qeverive më parë.
Në moshën 35-vjeçare, Boriç me prejardhje nga Kroacia bëhet një nga liderët politikë më të rinj në botë dhe presidenti më i ri në historinë e Kilit.
Presidenti i ri i Kilit i ka falënderuar popullin kilian për besimin që i dhanë në zgjedhjet e mbajtura.
“Dua ta fillojë këtë moment historik, që është jashtëzakonisht emocionues, duke qenë në sy të gjithë Kilit dhe të gjithë botës, të falënderoj të gjithë kilianët që dolën të votojnë, duke e nderuar përpjekjen e tyre për demokraci”, është shprehur Boriç.