Miqësia e mirë që tregojnë në publik, nuk do të thotë se medoemos Kim Jong Un dhe Vladimir Putin i besojnë njëri-tjetrit.
Të paktën këtë tregon një video e bërë virale, e cila tregon agjentët e sigurisë së liderit të Koresë së Veriut, që ekzaminojnë në detaje karrigen në të cilën ai do të ulej gjatë takimit me kreun e Kremlinit.
Sigurimi i Kim është parë duke kryer kontrolle rigoroze në karrigen e tij, përpara samitit të tyre të shumëpritur në kozmodromin Vostochny.
Fillimisht, në video shihet një burrë me doreza të bardha dhe kostum të errët që fshin karrigen e zezë me një leckë të bardhë përpara se të dy liderët të ulen për takimin, i cili zgjati më shumë se 4 orë në qendrën hapësinore të Rusisë në Lindjen e Largët.
Agjenti pastron tërësisht karrigen, pjesën e pasme të saj dhe mbështetëset e krahëve, ndërsa në ndihmë i vijnë edhe dy zyrtarë të tjerë të Koresë së Veriut, të cilët qëndrojnë pas tij me më shumë pajisje pastrimi nëse do të nevojiteshin.
Reportedly, these are preparations to make sure that the chair Kim Jong Un would sit on is in the best possible condition. pic.twitter.com/xDsr9P7lG7
— Anton Gerashchenko (@Gerashchenko_en) September 13, 2023
Pasi u siguruan se karrigia ishte e pastër nga çdo pajisje përgjimi apo lënë kimike të mundshme, një zyrtar i dytë – i veshur në mënyrë identike me të parin – testoi nëse karrigia ishte e fortë për të përballuar peshën e liderit të tij suprem, që është mbi 130 kg.
Më pas u shfaq sërish agjenti që pastroi karrigen për ta skanuar me një detektor të vogël metalesh.
Një person i katërt, i cili duket se është rus, e vëzhgon nga afër, duke i qëndruar gjithë kohën mbi supe një prej zyrtarëve të Koresë së Veriut.
Është e paqartë përse sigurimi i Kim u investua kaq shumë për të inspektuar karrigen ku do të ulej lideri i tyre, por gjasat janë që ata i druheshin lëndëve kimike vdekjeprurëse si Novichok dhe Polonium 210, të cilat janë përdorur më parë nga spiunët e Putin për të helmuar armiqtë.
Me të gjithë skenarët e mundshëm në mendje, duket se Kim nuk i ka lënë asgjë rastësisë, pavarësisht se dyshja pohuan më pas miqësinë e tyre gjatë takimit.