Në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës u përurua sot memoriali kushtuar Holokaustit dhe përpjekjes së shqiptarëve për të shpëtuar familjet hebreje që përndiqeshin nga nazistët.
Në ceremoninë përuruese morën pjesë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, ambasadori i Izraelit Noah Gal Gendler, kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe familjarë të atyre që kontribuuan në shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.
“Ky memorial do t’i shërbejë brezave në përkujtimin se jeta është një peshore mes frikës dhe shpresës, frikës për atë se çka njerëzimi është në gjendje t’i bëjë vetes dhe shpresës se e mira mbizotëron gjithmonë mbi të keqen, njerëzimi qëndron mes këtyre fjalëve dhe na takon ne qoftë si liderë apo shërbëtorë publikë, apo qytetarë të thjeshtë t’u mësojmë të rinjve se në cilën anë të historisë duhet të peshojmë,” – u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e konsideroi memorialin jo vetëm si mirënjohje për familjet e Tiranës që ndihmuan familjet hebreje dhe kosovare gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe ndaj Shteteve të Bashkuara.
Rreth 78 shqiptarë janë njohur me titull nderi në Izrael për aktin e tyre në shpëtimin e familjeve hebreje ndërsa në historiografinë botërore nuk ka asnjë gjurmë të përndjekjes së tyre në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Pasi Hitleri mori pushtetin dhjetëra familje shqiptare strehuan qindra hebrenj dhe kur nazistët kërkuan listë të atyre që ndodheshin në Shqipëri, ata refuzuan. Klerikë, qytetarë të thjeshtë, të gjithë punuan për të shpëtuar këta njerëz, është një histori frymëzuese e humanizmit, kurajës dhe nderit, me fjalë të tjera, e besës shqiptare,” – u shpreh Ambasadorja Yuri Kim, e cila kujtoi ish-Ambasadorin John L. Withers për përpjekjet e tij në ngritjen e një memoriali të ngjashëm.
Kim tha se akti i shqiptarëve është “shembull i shndritshëm i njerëzimit, një shembull që duhet ndjekur”.
Memoriali u nis si një projekt i shtyrë nga ish-Ambasadori Withers dhe Warren Miller, ish-kryetar i Komisionit Amerikan të Ruajtjes së Trashëgimisë Amerikane Jashtë Shtetit. Ai u projektua nga Steven Jacobs dhe u mundësua nga ish-anëtari i Komisionit fonde të dhuruara prej Ronald H. Bloom.
Ambasadori i Izraelit, Noah Gal Gendler citoi shkrimtaren hebre Ana Frank e cila thoshte se “nëse durojmë gjithë këtë vuajtje dhe nëse kur kjo të përfundojë do të ketë hebrenj të mbetur, ata nuk do të mbahen më si të dënuar, por si shembull”.
Gal Gendler tha se “nëse shumë kombe do të mësonin këtë pjesë të historisë së Shqipërisë kjo do të ishte e shkëlqyer”.
Ndërsa kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se “shpëtimi i hebrenjve është një histori e cila përmban brenda detyrimet për ta ruajtur jo thjesht si histori për momente ceremoniale, por si një vlerë e madhe që duhet trashëguar brez pas brezi”.
“Përpara Luftës së Dytë Botërore Shqipëria ishte i vetmi vend që në legjislacionin e saj kishte të miratuar Shabatin, që do të thotë se të gjithë qytetarët që jetonin këtu dhe që i përkisnin popullit hebre kishin të drejtën të mos punonin ditën e premte dhe askush nuk kishte të drejtë t’u ndërpriste shpërblimin për punën. Pa u zgjatur në historinë që i pararendi kapitullit të marrëdhënies shqiptaro-izraelite në luftë, Shqipëria me episodet epike të njerëzve të drejtë të saj që ndihmuan hebrenjtë mbetet një njollë në ndërgjegjien e Hollywood-it që ka krijuar disa kryevepra në lidhje me këtë epokë, por që me siguri do të kishte krijuar shumë më tepër, edhe më të pabesueshme nëse do t’i ishte referuar episodeve të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri,” – tha Kryeministri Edi Rama duke kujtuar historitë e familjeve Biçaku e Myrto, të cilat sakrifikuan shumë për mbajtjen dhe shpëtimin e dhjetëra hebrenjve.