Prindërit e fëmijëve kinezë që shfaqin “sjellje shumë të keqe”, ose që kryejnë vepra të ndryshme penale mund të përballen me dënime të ashpra, nëse miratohet projektligji i ri që është propozuar në vend.
Në draftin e dërguar për votim, kujdestarët ligjorë të fëmijëve do të vuajnë pasojat e sjelljes së keqe të tyre, duke u dënuar ose duke iu nënshtruar një programi riedukimi.
“Ka shumë arsye pse adoleshentët sillen keq, por mungesa e edukimit në familje është kryesorja”, tha Zang Tiewei, zëdhënës i Komisionit të Ligjeve në parlamentin kinez, të quajtur zyrtarisht Kongresi Popullor Kombëtar. Sipas projektligjit, prindërit do të jenë përgjegjës për hartimin e një kalendari për fëmijët e tyre, ku të jetë e caktuar koha për të pushuar, për të luajtur e për të bërë ushtrime.
Kjo nuk është nisma e parë e ndërmarrë nga Pekini për të kontrolluar sjelljen e fëmijëve dhe të rinjve, pas kufizimit të lojërave online të quajtura “opium shpirtëror”, si dhe dënimit të adhurimit të personazheve të famshëm në rrjetet sociale.
Në muajt e fundit, Ministria e Arsimit ka kufizuar orët e lojërave për të miturit, duke i lejuar që të luajnë vetëm nga një orë çdo të premte, të shtunë dhe të diel. Por gjithashtu ka ulur sasinë e detyrave të shtëpisë që një nxënës duhet të bëjë, pas shqetësimeve për ngarkesën e madhe mësimore te fëmijët.