Partia Komuniste në Kinë mbajti një ceremoni për të nderuar të ashtuquajturit “heronj” që luftuan kundër koronavirusit, ku ishte i pranishëm dhe presidenti Xi Jinping i cili tha se vendi kaloi një “test historik”.
Gjatë fjalimit të tij Xi u shpreh se Kina u soll në mënyrë shumë të përgjegjshme gjatë pandemisë dhe ndihmoi në shpëtimin e jetës së miliona personave në të gjithë botën me reagimet e saj praktike.
Megjithatë jo të gjithë janë dakord me këto fjalë pasi presidenti Donald Trump shpesh herë ka akuzuar Kinën se me reagimin e saj lejoi që virusi të përhapej me shpejtësi në mbarë botën.
Në ceremoninë që u mbajt në Pekin gjithashtu nuk u përmend doktori Li Wenliang, i cili u dënua sepse ngriti i pari alarmin për përhapjen e infeksionit në Wuhan.
Me kalimin e javëve ka pasur dyshime në lidhje me raportimet e rasteve nga autoritetet kineze dhe megjithatë tashmë duket sikur jeta në Kinë po kthehet drejt normalitetit.