Kina akuzoi NATO-n të enjten se kërkon siguri në kurriz të të tjerëve dhe i bëri thirrje aleancës që të mos krijojë “kaos” në Azi.
Deklarata e një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme u bë një ditë pasi NATO e cilësoi Kinën si një shtet që po mundëson luftën e Rusisë në Ukrainë.
Zëdhënësi Lin Jian, në një konferencë për shtypin tha: “Të bësh Kinën përgjegjëse për çështjen e Ukrainës është e paarsyeshme dhe ka motive të liga”.
Ai tha se Kina ka një qëndrim të drejtë dhe objektiv për çështjen e Ukrainës.
Kina, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë, ka refuzuar të dënojë agresionin e Rusisë në Ukrainë. Tregtia e saj me Rusinë është rritur, të paktën pjesërisht duke kompensuar atë që është ndikuar nga sanksionet perëndimore.
NATO, në një komunikatë të publikuar gjatë takimit të nivelit të lartë në Uashington, tha se Kina është bërë një nxitës i luftës përmes “partneritetit pa kufij” me Rusinë dhe mbështetjes së saj në shkallë të gjerë për industrinë e mbrojtjes së Rusisë.
Zoti Lin tha se tregtia e Kinës me Rusinë është legjitime dhe e arsyeshme dhe e bazuar në rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Ai tha se “e ashtuquajtura siguri” e NATO-s bëhet në dëm të sigurisë së vendeve të tjera. Kina ka mbështetur pretendimin e Rusisë se zgjerimi i NATO-s përbënte një kërcënim për Moskën.
Kina ka shprehur shqetësim për marrëdhëniet e reja të NATO-s me vendet në rajon. Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut dërguan udhëheqësit ose zëvendësit e tyre në takimin e NATO-s që po mbahet në Uashington.
“Kina i kërkon NATO-s që të ndalojë ndërhyrjen në politikën e brendshme të Kinës dhe njollosjen e imazhit të vendit dhe të mos krijojë kaos në Azi-Paqësor pas krijimit të trazirave në Evropë”, tha zoti Lin.
Trupa kineze janë dërguar në Bjellorusi këtë javë për stërvitje të përbashkëta, pranë kufirit me Poloninë, vend anëtar i NATO-s. Stërvitjet janë të parat me Bjellorusinë, aleat i Rusisë.
Zoti Lin e cilësoi stërvitjen e përbashkët si shkëmbim dhe bashkëpunim normal ushtarak që nuk drejtohet kundër ndonjë vendi të caktuar.