A është i mundur një afrim i befasishëm mes Kinës marksiste-leniniste të Xi Jinping dhe Perëndimit?
Nuk do të dukej, duke gjykuar nga video-konferenca e fundvitit të liderit kinez me Vladimir Putin, në të cilën ai tha se ishte i gatshëm të ngrinte nivelin e bashkëpunimit strategjik me Rusinë.
Por më pas Xi bëri disa lëvizje interesante që sugjerojnë një përpjekje për të rikuperuar një marrëdhënie të dobishme nga pikëpamja politike (si dhe tregtare) me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.
Para së gjithash, ai promovoi ambasadorin Qin Gang, 56 vjeç, si ministër të Jashtëm, duke e thirrur atë nga selia diplomatike në Uashington.
Qin, në këto vite të tensionuara dhe dramatike është përpjekur ta mbajë të hapur dialogun me amerikanët, qoftë edhe me gjeste simbolike: më 28 dhjetor, para se të nisej për të marrë postin e tij të ri si ministër, Shkëlqesia e Tij shkoi për të parë një ndeshje basketbolli të NBA në Uashington.
Në Twitter, ku ai ka një prani të zellshme dhe mbi 270,000 ndjekës, Qin Gang zgjodhi një frazë të cituar nga Xi në fjalimin e tij të Vitit të Ri drejtuar publikut amerikan për kinezët: “Kombi ynë është i lidhur me botën”.
Në fund, ministri i ri shkroi një koment përshëndetës në “Ëashington Post”, ku kujtoi se “e ardhmja e planetit varet nga një marrëdhënie e qëndrueshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës” dhe siguroi se ai kishte jetuar momente të paharrueshme njerëzore mes popullit amerikan.
Analistët vërejnë se ministri Qin Gang po punon shumë për të përgatitur rrugën për një udhëtim të Xi Jinping në Shtetet e Bashkuara: një datë e supozuar në nëntor, kur Joe Biden do të presë samitin vjetor të APEC (Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor) në San Francisko.
Sigurisht, Qin Gang është një diplomat me profesion, misioni i tij është të mbajë kontakte, të flasë miqësisht dhe me ton të ulët.
Por për tre vitet e fundit, Ministria e Jashtme e Pekinit ishte përfshirë në një luftë guerile me Perëndimin (dhe veçanërisht me amerikanët).
Shenjat e pajtimit janë vërejtur prej disa javësh. Ndoshta nuk është rastësi që me ardhjen e ministrit të ri në Pekin, zëdhënësi i ashpër Zhao Lijian u zhvendos si zëdhënës i Jashtëm, i cili ishte shquar si një “udhëheqës i ujqërve luftëtarë” i gatshëm për të sulmuar kundërshtarët e tij.
“Financial Times” ka punuar për disa javë në një raport mbi qëndrimin e ri të mundshëm të Pekinit në politikën e jashtme. Titulli: “Plani i Xi-së për të rivendosur ekonominë dhe për të rifituar miqësitë”.
Është evidente se përqafimet me Putinin, dështimi i linjës “Zero Covid”, vetëizolimi kinez në vitet e fundit, kanë dëmtuar imazhin dhe ekonominë e fuqisë së dytë botërore. Prandaj, Xi do të kishte vendosur të rregullonte kursin.
Burimet kineze i thanë gazetës britanike se në Pekin janë të bindur se “Putini është i çmendur” dhe se Rusia e tij do të dalë nga moçali ukrainas i reduktuar në “një fuqi të vogël”.
Prandaj, mesazhi duhet të jetë që të mos ndiqet në aventurizmin e tij dhe të përpiqet të rivendosë një marrëdhënie pozitive me perëndimorët.
Burimet kineze pohojnë se në takimin famëkeq midis Putinit dhe Xi-së më 4 shkurt 2022 në Pekin, Cari i fshehu kartat, duke argumentuar se Moska “nuk mund të përjashtonte asnjë masë në rast se separatistët ukrainas sulmonin territorin rus”.
Në realitet, Putini e kishte planifikuar tashmë agresionin në Kiev për 24 shkurt. Këtu lind mosbesimi i diplomatëve kinezë, të cilët ndiheshin të vënë në lojë dhe mashtruar.
Le Yucheng, zëvendësministri i Jashtëm, ekspert kryesor për marrëdhëniet me Rusinë dhe i konsideruar si një kandidat për t’u emëruar si ministër, do të kishte paguar për gabimin e vlerësimit.
Në qershor, Shkëlqesia e tij, Le është “siluruar”: zbriti dy pozicione në hierarkinë kineze dhe u emërua si zëvendësdrejtor i administratës së radios dhe televizionit.
A mjaftojnë deklaratat e Qin Gang dhe besimet e burimeve anonime për të besuar se Xi Jinping po përgatit një afrim me Perëndimin?
Ai befasoi (jo pikërisht pozitivisht) me braktisjen e papritur të “Zero Covid” dhe rihapjen e udhëtimeve ndërkombëtare.
Mund të provojë gjithashtu eksperimentin me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.
Në nëntor, Xi e priti me shumë përzemërsi kancelarin gjerman Olaf Scholz; në dhjetor presidentin evropian Charles Michel.
Tani ai po përgatitet të presë francezin Emmanuel Macron dhe zonjën Giorgia Meloni, kryeministren e Italisë, shkruan Corriere della Sera.