Spitali Universitar i Traumës nga 20 marsi i 2020-s u kthye në spitalin që pret edhe urgjencat kirurgjikale të QSUT-së. Në QSUT u “paralizua” pjesërisht shërbimi, pasi u përqëndrua puna në pritjen dhe menaxhimin e pacientëve pozitiv me Covid. Kjo situatë ka sjellë një mbingarkesë për stafin e Spitalit të Traumës. Në një intervistë për gazetën ‘Shëndet plus’ mjeku kirurg Sami Koçeku tregon me shumë rreth menaxhimit të shërbimit të kirurgjisë dhe mbingarkesën që kanë patur.
Doktor, si ka funksionuar shërbimi i kirurgjisë në spitalin e Traumës, a keni patur mbingarkesë?
Ne nuk kemi patur mbingarkesë gjatë pandemisë, ne kemi patur katastrofë mjekësore ose profesionale. Ashtu siç dihet që nga marsi ne presim urgjencat kirurgjikale të QSUT-së. Por që akoma po funksionon me mbingarkesë.
Do ishte shumë mirë nëse mjekët e urgjencës kirurgjikale të QSUT-së të vinin dhe të bënin roje këtu tek ne. Ne bëjmë trauma dhe kirugji të përgjithshme, ato bëjnë vetëm kirurgji të përgjithshme dhe ishim të ndarë. dhe këtu do kishim 4 kirurgë, stazhier, specializantë edhe ekipe te tjera. Kjo gjë nuk u bë, kjo është ekstremisht mbingarkesë për ne.
Si u menaxhua puna edhe pse në mbingarkesë?
Ne kemi mbijetuar, jo menaxhuar. Deri tani ne quajmë se e kemi mbaruar misionin tonë në total, edhe pse me mbingarkesë ne ja kemi dal. Nga frika e COVID-19 njerëzit kanë frikë të vijnë në spital dhe kur vijnë në gradë të fundit për t’i shpëtuar jetën.
Keni patur staf të infektuar me COVID-19, nëse po si e keni menaxhuar punën? Ka patur pezullim të saj?
Po, edhe ne si çdo spital tjetër kemi patur mjekë, infermierë të infektuar. Është menaxhuar me ne që ishim mirë. Jo puna nuk është pezulluar në asnjë moment. Çdo pacient i ardhur këtu ka marrë shërbimin e merituar.
Sa është numri i operacioneve të bëra në ditë?
Mund të ketë 4-8 të kirurgji të përgjithshme, pa përmendur kirugjitë e traumës. Tek trauma ka ditë që bëjmë ka ditë që jo. E theksoj operacione të mirëfillta trauma, nuk flas për drenazhet torakale, fiksim kockash etj. Numri i operacione të përgjithshme ka rënë në përgjithësi kjo për shkak të frikës që kanë njerëzit nga COVID-19, trajtohen në shtëpi, dhe kur vijnë, vijnë në gradë të fundit.
Kemi patur një rast me apandesit i cili kishte 5 ditë që qëndronte në shtëpi dhe erdhi në spital në gradë të fundit.
Keni vizituar të sëmurë me COVID-19?
Po. Nuk e di saktësisht se sa, por që po. Pasi është konfirmuar me COVID-19 është adresuar për tek mjeku specialist për të marrë te ai shërbimin për COVID-19.
Kemi mungesa në materiale të mbrojtjes personale, si maska, doreza?
Jo, i kemi të gjitha nuk ka mungesa.
Gjatë kësaj periudhe kemi patur reduktim të stafit apo shtim të tij?
Saktësisht nuk e di por shikoj që ka njerëz të rinj që nuk i njoh ose njohur më parë që janë këtu, si në sallë, si në pavion të cilët nuk janë mjek por infermierë që janë prurje e re. Unë e kam kërkuar që në mars që të na vijnë edhe dy kirurg të tjerë për aq kohë sa mbajmë dhe urgjencën e kirurgjisë përgjithshme, duhet të vijë dhe stafi, të dyfishohet personeli. E kërkoj në mënyrë absolute këtë gjë. Në kirurgjinë e QSUT-së po punohet vetëm me planifikime dhe kjo është luks, ndërsa këtu po punohet non-stop.