Konferenca e Peshkopëve të Francës (CEF) njoftoi sot se Kisha Katolike Franceze do të kompensojë 216 000 viktimat e abuzimit seksual duke shitur pjesërisht pasuritë e saj.
Më 5 tetor, Komisioni i Pavarur Francez për Abuzimin Seksual në Kishë (ICSA) publikoi një raport monumental që zbulon shkallën e abuzimit seksual të fëmijëve në duart e njerëzve të Kishës Katolike Franceze.
Rreth 216 000 njerëz mbi moshën 18 vjeç rezulton se janë abuzuar seksualisht kur ishin fëmijë nga klerikët që nga viti 1950. Ky numër rritet në 330 000 nëse merren parasysh abuzuesit laikë, si anëtarët laikë të Kishës që punojnë në shkollat katolike.
Raporti sugjeron kompensimin e viktimave të abuzimit seksual dhe ICSA i ka kërkuar Kishës t’i paguante ato me asetet e veta, në vend që të mbështetej në donacionet nga famullitë.
Por si do të bëhet saktësisht ky kompensim dhe sa asete zotëron kisha, është ende e paqartë.
Detyrimi për dëmshpërblimin e viktimave të abuzimit seksual e ka vënë kishën në vështirësi financiare. Kishës Katolike Franceze i janë grabitur pasuritë e saj dy herë. Së pari gjatë Revolucionit Francez në 1789 dhe përsëri pas një ligji që ndau Kishën nga shteti, në 1905. Kjo do të thotë se shumica e kishave i përkasin dhe mirëmbahen nga komunat lokale. Dhe ndryshe nga shumica e vendeve të tjera evropiane, Kisha në Francë nuk merr subvencione shtetërore, raporton France 24.
Në një studim të dioqezave të kryer nga gazeta franceze La Croix në vitin 2011, u vlerësua se Kisha merr 700 milionë euro në vit. Një e treta e të ardhurave të saj (231 milionë euro) vijnë nga donacionet vjetore të famullisë. Pak më pak se një e katërta (147 milionë euro) vjen nga grumbullimi i donacioneve në shërbimet e kishës. Këtyre u shtohen donacionet që vijnë nga martesat, pagëzimet, vdekjet dhe meshat special, dhe tre të katërtat e të ardhurave të Kishës vijnë nga bujaria e të tjerëve.