Aktualitet Kisha Ortodokse kundërshton censin: Pse nuk pasqyron realitetin

Kisha Ortodokse kundërshton censin: Pse nuk pasqyron realitetin

Kisha Ortodokse kundërshton rezultatet e censit. Në një deklaratë të publikuar sot, Kisha Ortodokse e Shqipërisë pretendon se censi i kryer në vjeshtën e vitit të shkuar nuk pasqyron përqindjen reale të besimtarëve ortodoksë.

Sipas saj, ky numër është shumë më i madh në realitet.

“Rezultati i Censit 2023, në lidhje me përqindjen e numrit të të krishterëve orthodhoksë, nuk pasqyron në të vërtetë realitetin. Kjo ka ndodhur për disa arsye, ndër të cilat do të përmendim disa:

Regjistruesit, në shumë raste, nuk i pyesnin të intervistuarit për përkatësinë fetare.

Kemi evidencë të dokumentuar se një numër i madh besimtarësh nuk u intervistuan, sepse nuk u vizituan nga asnjë regjistrues.

Sipas regjistrave tanë të pagëzimeve tregohet qartë se numri i të krishterëve orthodhoksë është shumë herë më i madh nga sa rezulton në Cens.

Sipas statistikës së vitit 1927 kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67.5%; orthodhoksët 22.3% dhe katolikët 10%.

Ndonëse pyetja për besimin fetar ishte fakultative, numri i madh i besimtarëve të pacilësuar prej 332 155, të ateistëve 85 311, të atyre që preferuan të mos i përgjigjen 244 331 dhe të atyre që nuk ishin të disponueshëm 134 451 – në total 796 248 – afërsisht 1/3 e popullsisë, dëshmon për pasaktësinë e këtij Censi”, thuhet në deklaratën e Kishës Ortodokse.

Sipas rezultateve të censit, vendi rezulton me shumicë myslimane, 1.101  banorë, më pas vjen besimi katolik me mbi 200 mijë banorë dhe më pas besimtarë ortodoks me mbi 173 mijë banorë. Mbi 85 mijë janë deklaruar ateistë ndërkohë që 244 mijë nuk janë përgjigjur pyetjes apo nuk janë cilësuar.