Kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar të PS mëngjesin e së shtunës për të mbledhur firmat e nevojshme për kandidaturën e Bajram Begajt për postin e presidentit të ri.
Rama e vlerësoi Begajn si një person që përmbush të gjitha kriteret e nevojshme për të qenë në krye të shtetit, duke renditur një sërë virtytesh, që siç tha ushtarakët i kanë të spikatura.
Kreu i qeverisë zbuloi prapaskenat e diskutimeve në grupin e PS për të mbërritur deri tek emri i Begajt. Rama theksoi se në nisje të këtij procesi PS ishte përpara tre mundësive ose drejtimeve, nga të cilat u përjashtuan kandidaturat brenda grupit dhe kontribuuesit të PS në vite.
“Patëm nga grupi tre drejtime të përcaktuara në bazë profileve të propozimeve të bëra. Njëri drejtim ishte ai i të vetëpropozuarve këtu në grup, i cili u përjashtua menjëherë. Drejtimi i dytë i ishte ai që adresonte mundësinë për kandidatë që ka dhënë kontribut në PS, që nga ish-kryetari i PS Fatos Nano e me radhë për të cilët kemi respektin më të madh por e përjashtuam këtë mundësi pasi në këtë fazë PS ka barrën që të jetë e të gjithëve. Kështu u fokusuam tek drejtimi i tretë, ku grupi kishte vënë në dispozicion 26 kandidatura gra dhe burra të nderuar me profile të ndryshme. Pas një diskutimi shumë cilësor, në fund patëm 6 kandidatura që u diskutuan në mënyrë shumë konsensuale për të mbërritur tek kandidati që mori konsensusin e të gjithëve”, tha Rama.