Një turist letonez humbi jetën këtë të enjte në Shkodër. Ishte shoku i tij britanik, i cili e gjeti mikun e tij 38-vjeçar të pajetë në shtëpinë ku po qëndronin.
Policia thotë se paraprakisht dyshohet se turisti ka humbur jetën për shkaqe natyrore.
“Pasditen e sotme, shtetasi E. T., 52 vjeç, rezident në Mbretërinë e Bashkuar, ka njoftuar sallën operative të Policisë së Shkodrës, se në banesën e tij, në lagjen “Gjuhadol”, ka gjetur të pajetë shokun e tij, shtetasin letonez L. Z., 38 vjeç , rezident në Mbretërinë e Bashkuar. Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se 38-vjeçari i ardhur në Shqipëri, për qëllime turistike, e ka humbur jetën për shkaqe natyrore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për dokumentimin e shkakut të humbjes së jetës së 38-vjeçarit”, tha policia në një njoftim për mediat.