Një lavazh i shndërruar në pikë ku tregtohej kokainë dhe kanabis nga ana e pronarit dhe punëtorit të tij, në qytetin e Matit, është mësyrë nga policia, që ka sekuestruar lëndë narkotike të ndarë në doza.
Mësohet se lavazhi ishte marrë me qira dhe shfrytëzohej nga një 32-vjeçar nga Burreli, i cili u kap në flagrancë së bashku me punëtorin 39-vjeçar.
Përveç lëndës narkotike, uniformat blu kanë sekuestruar edhe një sërë targash të huaja, që dyshohet se personat i përdornin për të humbur gjurmët e aktivitetit të tyre kriminal.
Njoftimi i policisë:
Strukturat për hetimin e krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në inteligjencën informative se në një lavazh në unazën e qytetit të Burrelit shpërndaheshin lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Lavazhi”.
Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
– L. H., 32 vjeç, banues në Burrel, i cili kishte marrë me qira lavazhin;
– J. P., 39 vjeç, banues në Burrel, punëtor në këtë lavazh.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. N., banues në Burrel, pronari i lavazhit.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit L. H. dhe kontrollit në ambientet e lavazhit që ai kishte marrë me qira, shërbimet e Policisë gjetën dhjetëra doza kanabisi, një sasi kanabisi gati për paketim dhe doza kokaine, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e lavazhit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe 10 targa automjetesh shqiptare dhe të huaja, që dyshohet se shtetasi L. H. i përdorte për automjete të ndryshme, me qëllim që të kamuflonte veprimtarinë kriminale, fishekë për armë gjahu, si dhe një pushkë sportive që i përkiste pronarit të lavazhit, shtetasit Y. N.
Gjatë kontrolit fizik, shtetasit J. P., punëtor në lavazh, iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë në doza.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.