Ngritja e nivelit të muzikës në banesë është bërë shkaku i konfliktit në Sarandë që përfundoi me një viktimë.
65-vjeçari Gëzim Bizgjoni i ka kërkuar qiraxhiut Admir Beqiri të ulte muzikën pasi mbante zi për humbjen e vajzës 29-vjeçare para një muaji.
Në konflikt e sipër Admir Beqiri e goditi me shishe dhe kazmë në kokë, duke e lënë të vdekur.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për kryerjen e ekspertizës. 65-vjeçari punonte në ndërtim dhe prej pak kohësh kishte strehuar në banesë kundrejt pagesës, Beqirin.
Vetëm pak minuta pas krimit policia arrestoi autorin. Në njoftim zyrtar thotë se autori dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit kur kreu krimin.
40-vjeçari Admir Beqiri njihet si person me precedentë penalë. Ai ka qenë disa herë i shoqëruar për veprime të dhunshme. Para disa vitesh atij i kanë vrarë vëllain në fshatin Gjashtë të Sarandës pas konfliktit për prishjen e pazareve të drogës.
“Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve të kryera për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në fshatin Gjashtë, arrestoi shtetasin A. B., 40 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me shishe qelqi shtetasin G. B., 62 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve humbi jetën. Gjithashtu, shtetasi A. B. dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, shtetases E. K., banuese në fshatin Gjashtë”, lexohet në njoftimin e policisë.