Duke zbuluar në qytetin e Glinës një bust për presidentin e parë të Kroacisë, Franjo Tugjman, presidentja aktuale e vendit, Kolinda Grabar-Kitaroviç deklaroi se, për hir të paqes dhe të së ardhmes, Kroacia kishte falur shumë gjëra, por krimet e luftës duhej të hetoheshin dhe të penalizoheshin.
“Ne kemi falur shumë gjëra për hir të paqes dhe të së ardhmes, por duhet të hetojmë dhe ndjekim penalisht krimet e luftës, kjo është ajo që shteti kroat u detyrohet viktimave”, deklaroi presidentja në Glinë, 70 kilometra në jug të Zagrebit, ku mori pjesë në ceremonitë për Ditën e Fitores, Ditën e Falënderimeve të Atdheut dhe Ditën e Veteranëve Kroatë.
Pas ceremonisë, presidentja Grabar-Kitaroviç dhe anëtari i parlamentit Miroslav Tugjman zbuluan bustin për presidentin e parë kroat.
Miroslav Tugjman tha se babai i tij, Franjo Tugjman nuk ishte më vetëm presidenti i parë i Kroacisë, por gjithashtu ishte një simbol i krijimit të shtetit kroat, lirisë dhe pavarësisë së tij.