Partia Demokratike vendosi dje që të bojkotonte zgjedhjet në bashkinë e Kukësit, duke njoftuar se nuk do të nxirrte kandidat për garën e 24 shtatorit. Por përse ndodhi kjo? Lulzim Basha tha sot se partia nuk ishte gati, ndërsa premtoi se kjo do të jetë hera e fundit që bojkoton zgjedhjet.
“Zgjedhjet e pjesshme në Kukës. Ne respektuam vullnetin e degës për të mos nxjerrë kandidat që është edhe përgjegjësia jonë që u morëm me luftën me njëri tjetrin dhe jo riorganizimin e partisë. Kjo është hera e fundit që PD nuk ka kandidatë në zgjedhje.
Nga sot të gjithë duhet të jemi në terren për të ringritur partinë dhe për fitoren e vizionit tonë. Brenda dy muajve struktura e degëve të PD-së në rrethe do të marrë formë. Brenda fundit të vitit do të ketë strukturë të re dhe program të gatshëm. Brenda 31 marsit do të jenë gati 140 kandidatët për deputetë”, deklaroi ai.