Pasi fitoi një mandat tjetër 4-vjeçar në krye të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka falënderuar të gjithë ata që kontribuan në suksesin e këtyre zgjedhjeve.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj ka falenderuar veçanërisht të gjithë ata që e votuan, teksa për Tiranën ka premtuar se do të punojë me përulësi dhe me modesti për të drejtuar kryeqytetin.
Veliaj thotë se kjo fitore nuk e ngriti në qiell, por e uli me këmbë në tokë dhe i dha mesazh si asnjë tjetër për të ecur përpara në Tiranë.
“Dua të falenderoj të gjithë kryetarët e Partisë Socialiste. Ne kemi fituar masivisht në të 27 njësitë e Bashkisë së Tiranës, 27 me 0, për të qenë forca që e çon çdo njësi tonën vetëm përpara. Dua të falenderoj të gjithë administratorët tanë, që zgjidhën një problematikë të jashtëzakonshme, jam i përulur për çdo gjë që bën secili prej tyre. Janë 500 kapitenë të përkushtuar që kanë qenë aty deri në sekondën e fundit një shërbëtor publik dhe mezi pres të bëjmë punë të tjera në secilën prej njësive. Ju falenderoj nga zemra. Dua të falenderoj skuadrën tonë të patronazhistëve, që i dinë hallet e çdo dere. Vetëm aftësia për të pasur veshë për të dëgjuar e sy për të parë, zemër për të rrahur, ky është çelësi dhe formulat e suksesit tonë. Ne futëm një koncept të ri, që e bëri secili prej nesh një aktivist dixhital. Falenderim për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë. E kanë bërë këtë parti me një inteligjencë të madhe, janë të gjithë teknikët tanë të IT-së, truri që kemi e që merret për t’i përdorur të gjitha instrumentet e shkencës në favor të punës tonë.
Dua të falënderoj 300 mijë votues të Tiranës të cilët pavarësisht se për 3 orë patën problematika në qendra votimi, pavarësisht se ishin në karrige me rrota, votuan, ju falenderoj me zemër. Faleminderit që na dhatë një mesazh të pastër, vendimmarrje për një Tiranë që do të eci vetëm përpara e që do që Tirana të vazhdojë të jetë motor i zhvillimit. Kjo fitore nuk më ngriti në qiell, por më uli në tokë si asnjë mesazh tjetër. Ju premtoj modesti, një kokë të përulur dhe mend për të ecur përpara. Tirana na tregoi se kërkon një dorë të shtrënguar. Dua të falenderoj dhe ata që mendojnë ndryshe dhe dua të ju them se vota juaj nuk është e kotë. Ju them demokratëve se do të jem dhe kryetari i tyre, pa i ndarë në të majtë dhe në të djathtë pa asnjë dallim dhe nga Tirana nuk del asnjë i humbur. Falenderoj ata të djathtë që zgjodhën të mos e kthenin këtë në një betejë me SHBA, zgjodhën të mos përdoreshin mish për top. Refuzuan të mos merrnin pjesë në votime dhe të mos ishin krushq në dasmën e Saliut dhe Ilirit. Falenderoj Edi Ramën, i cili na e bëri më të lehtë këtë fushatë duke treguar se qeveria ishte aty për të zgjidhur situata të vështira. Socialistët treguan që për bashkitë, janë alenaca kryesore, janë në ditët e karantinës dhe në ditë kur ringrihemi më të mirë me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.
Një falënderim pati edhe për familjen: “Falenderoj familjen time, Ajolën, Kain, nënat tona, dua të falenderoj me zemër që jua kam borxh kohën”.
Kryebashkiaku i Tiranës, pas rikonfirmimit në këtë detyrë, i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithë rivalëve të tjerë që garuan për Bashkinë e Tiranës.
Në fjalimin e fitores nga oborri i selisë rozë, Veliaj kërkoi nga kandidatët e tjerë që të bashkëpunojnë Këshillin Bashkiak të Tiranës.
“Dua që të përdor këtë mundësi t’i shtrij dorën e bashkëpunimit të gjithë atyre që kandiduan për Bashkinë e Tiranës, dua t’i shtrij dorën e bashkëpunimit Belindit, Arlindit, Rolandit, dua t’i shtrij dorën e bashkëpunimit Markos, Lajlës. Ne nuk jemi armiq, jemi gdhirë në të njëjtin qytet. Kalojmë në të njëjtat rrugë, do të kemi të njëjtat probleme.
Shpresoj shumë që ta pranojnë këtë ofertë, që të bashkëpunojmë, mos të hyjmë në një Këshill Bashkiak ku vazhdon avazi i vjetër i përçarjes dhe i ndasisë. Ne nuk kemi nevojë për të tjerë në Këshill Bashkiak, por kemi dëshirë që të bashkëpunojmë me të tjerë në Këshill Bashkiak. Falë mbështetjes së jashtëzakonshme që na kanë dhënë qytetarët duke votuar logon e PS për Këshillin Bashkiak, ne sot kemi dhe një shumicë vendimtare në Këshillin Bashkiak. Një shumicë që na lejon që të këtë vizion, këto premtime, këto projekte të vazhdojmë t’i çojmë përpara. Ne nuk kemi nevojë në sensin e numrave për vota të tjera në Këshillin Bashkiak, por kemi një dëshirë shumë të madhe që të bëjmë një fillim të ri, të kemi një traditë të re ku nuk vazhdon më kënga e Ilirit dhe Saliut, tani e përkthyer në Këshillin Bashkiak”, tha Erion Veliaj.