Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejet e zhvillimit dhe ndërtimit për disa resorte e komplekse turistike në bregdet. Në mbledhjen e mbajtur pak ditë më parë janë miratuar të paktën 23 vendime ku katër prej tyre lidhen me ndërtime kompleksesh.
Bëhet fjalë për një projekt në Kakome, një në Dhërmi dhe një tjetër në Hamallaj.
Leja e parë për Kokome Bay Resort nuk është një projekt i ri, ai flitet prej vitesh por që në hapat e parë kur u shfaq interes nga investitorët u shoqërua me përplasje të shumta lidhur me pronësinë e tokës. Përplasja lidhet me pretendimin për tokën shtet dhe atë të banorëve të zonës. Kakome Bay Resort është dizejnuar në një sipërfaqe 290 mijë m2 në një nga gjiret më të bukura në vend. Sipas të dhënave të projektit jo më shumë se 10.5 për qind e gjithë sipërfaqes do të përdoret për ndërtim dhe lartësia maksimale e ndërtesave do të jetë jo më shumë se 2 kate. Riviera Kakome ka shpenzuar deri më tani 3 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës së aksesit në zonë. Sipas vendimit, leja e zhvillimit është për objektin: “Kakome Bay Resort, Bashkia Himarë”, me zhvillues Z. Luan Leka, shoqërinë “AgiKons” sh.p.k dhe Z. Dritan Çelaj.
Për kompleksin tjetër në Dhërmi është dhënë Leje Zhvillimi për objektin: “Kompleksi turistik “Dreamades”, Dhërmi”, me vendndodhje në Bashkinë Himarë, me subjekt zhvilllues “AG. TÇ” sh.p.k.
Në Hamallaj është dhënë leje Ndërtimi për objektin: “Kompleks turistik rezidencial “Hamallaj”, me vendndodhje Hamallaj, Bashkia Durrës”, me zhvillues shoqërinë “S&D Invest” sh.p.k.
Po kështu është miratuar leja për Piramidën e cila do të ndryshojë funksion dhe për këtë arsye Bashkia e Tiranës ka kërkuar që të bëjë rikonstruksion.
Katër bashki në vend kanë marrë miratimin e tyre për planet e përgjithshme vendore dhe bëhet fjalë për Gramshin, Këlcyrën, Përmetin dhe Roskovecin. Për Bashkinë Himarë është miratuar një ndryshim në planin ekzistues vendor teksa KKT ka dhënë miratimin edhe për 11 plane të detyruara vendore për 11 zonat e reja të zhvillimit.