Ajër i rëndë në Bavari për Julian Nagelsmann. Dominimi i zakonshëm në kampionat, karakteristikë e kampionëve të Gjermanisë, ia ka lanë vendin një serie rezultatesh që kanë krijuar paqartësi. Një element i panjohur në ato anë. Dhe nëse trajneri i Bayernit humb përfundimisht busullën, sipas ‘Bild’, gati është Thomas Tuchel.
Në klubin që ka fituar 10 titujt e fundit në Bundesligë, 4 ndeshje kampionati pa fitore janë mjaftueshëm për të folur për krizë. Humbja e parë sezonale e lë Bajernin 5 pikë larg kreut dhe ngre disa pikëpyetje për Julian Nagelsmann. Në Gjermani ka zëra se stoli i Bajernit është i madh për të.
Nëse analizohen numrat, trajneri ka fituar 70% të ndeshjeve, por përtej rezultateve ka faktorë të tjerë që e shtyjnë ekuilibrin drejt polit negativ. Ndër kryesorët është raporti me lojtarët. Elementë ntë ndryshëm në dhomat e zhveshjes, sipas ‘Bild’, mendojnë se Nagelsman duhet ta shohë problemin te vetja në vend që të fajësojë skuadrën.
Zilja e fundit e alarmit të humbjes së besimit ndaj trajnerit ka ardhur nga Sane. Pasi shënoi ndaj Barcelonës ai u zëvendësua dhe la i nervozuar fushën. Mezi u bind të ulej në stol, pasi kishte marrë rrugën drejt tunelit.
Edhe drejtuesit e Bayernit nuk janë të kënaqur. Salihamixhiç nuk ka lënë shumë hapësirë për interpretime. Justifikimet e tij kanë përfunduar, ashtu si dhe alibitë. Bajern humbi Lewandowskin, por afroi Matthijs de Ligt, Ryan Gravenberch, Mathys Tel dhe Noussair Mazraoui
Trajneri ishte i bindur se ‘kooperativa’ do të funksiononte edhe pa polakun.
Deri tani drejtuesit e Bayernit nuk kanë lëvizur. Nagelsmann qëndron dhe ata do ta mbrojnë, por nëse situata precipiton, ata kanë gjithë kohën e nevojshme për një rithemelim, duke ditur edhe pauzën për shkak të Botërorit.
Nuk është mister që te Bayerni ka një vlerësim për Thomas Tuchel. Kurse për Nagelsmann duhet theksuar se në kontratën e tij ka një “klauzolë sekrete”, që e lejon klubin ta shkarkojë për një shifër variabël në bazë të pagave mujore të mbetura në akordin 5-vjeçar me bavarezët.