Shqipëria vijon të jetë një vend i vështirë për të bërë biznes në sytë e investitorëve të huaj, citon Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit të klimës së investimeve.
Korrupsioni, veçanërisht në sistemin gjyqësor, mungesa e transparencës në tendera, konkurrenca e pandershme, ekonomia informale, ndryshimet e shpeshta fiskale dhe zbatimi i dobët i kontratave janë problemet kryesore që hasin të gjithë ata që kanë një sipërmarrje në vendin tonë.
Investitorët që i japin zë këtij publikimi dhe raportimet e zakonta të fenomenit të korrupsionit tregojnë që situata është përkeqësuar ndër vite, ndërsa kontratat PPP kanë zvogëluar madje edhe mundësinë për konkurrencë.
Raporti i DASH nuk lë jashtë dokumentit që përdoret si udhërrëfyes nga investitorët e huaj edhe çështjen e një kompanie amerikane me shtetin shqiptar, tashmë në arbitrazh ndërkombëtar.
“Në 2019 dhe 2020, përpjekja për investime e një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja tani është në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në raport.
Ndërsa shumë nisma si ligji për investimet strategjike, apo për Zonat e Lira Ekonomike nuk kanë gjetur zbatim në tërheqjen e investitorëve të huaj, teksa probleme të vjetra si pronësia mbi tokën, mbrojtja e aksionerëve të vegjël apo pronësia intelektuale vijojnë të mos gjejnë zgjidhje.
Në notat e pakta pozitive, raporti vlerëson reformat e ndërmarra në kuadër të dixhitalizimit dhe i jep një zë të rëndësishëm reformës në drejtësi, me pritshmërinë që kur të jetë e plotë të mundësojë një hap të madh në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimit të klimës së investimeve.