Ish-futbollisti Klodian Duro, i përjashtuar nga “Big Brother VIP” për shkak të deklaratave të tij për dhunën, reagoi së fundmi në rrjete sociale.
“Unë, Klodian Duro, ju njoftoj që rrugëtimi im në ‘Big Brother VIP’ është ndërprerë sot. Shkak është bërë një deklaratë e gabuar, nisur si ironi, e tepërt tani që e shoh me ftohtësi dhe që i lë vend keqinterpretimit”, shkruan ai.
“Më vjen keq që nuk arrita dot të përcillja mesazhet e duhura tek të cilat besoj vërtet dhe do t’i dëshmoja gjatë qëndrimit në shtëpinë e ‘Big Brother’”, vijon më tej. “Një ndjesë shumë e sinqertë i shkon publikut dhe u uroj suksese të gjithë banorëve.”
Duro u shpreh në “Big Brother VIP” duke thënë: “Ruajuni nga unë se unë kur kam rrahur gruan time, e di si më dukeni ju?”. Përmes një zarfi të zi, produksioni i BBVA njoftoi:
“Banorë, gjatë darkës pas spektaklit mbrëmë është dhënë një deklaratë e rëndë, e papranueshme që bie ndesh me rregullat e programit si dhe me normat e shoqërisë ku jetojmë. Big Brother ka vendosur të skualifikojë nga gara në mënyrë të menjëhershme Klodian Duron. Big Brother i tërheq vëmendjen të gjithë banorëve të kësaj shtëpie të jenë shumë të kujdesshëm në fjalët dhe veprimet e tyre që lidhen me dhunën.”
Sipas raportimeve nëpër media, më 24 mars 2020, Duro shkoi në banesën e ish-bashkëshortes, duke e kanosur këtë të fundit e cila lajmëroi policinë. Duro pretendoi se kishte shkuar në banesën e ish-gruas për të takuar fëmijët. Në prill, gjykata e Apelit në Tiranë caktoi masën e “arrestit në shtëpi”.
Në një pjesë të mirë të komenteve, ndjekësit vlerësojnë veprimin e produksionit të BBVA, ndërkohë që ka edhe të tjerë që theksojnë se një personazh i akuzuar për dhunë nuk duhej të ishte bërë pjesë e programit.