Mes shumë opinionesh në lidhje me çështjen e Superligës, që tashmë ka marrë gjithë vëmendjen, pas vendimit të Drjetësisë Europiane, për t’u veçuar është ai i trajnerit të Liverpulit, Jurgen Klop. Ai kritikon si Superligën, po ashtu edhe FIFA-n e UEFA-n.
Klop është një nga zërat kryesorë që kërkon të mbrojë futbollistët nga ndeshjet e shumta që po dëmtojnë shëndetin e tyre. Gjermani është kundër Superligës, ashtu si Liverpuli, por ka pohuar se është i kënaqur që FIFA dhe UEFA “kanë marrë një goditje” nga sentenca e Trupës së BE-së, që limiton fuqinë e tyre.
“Jam dakord 100% me komunikatën e Liverpulit, por më pëlqen edhe verdikti, – ka thënë trajneri gjerman para ndeshjes me Arsenalin. – Më në fund po kuptojmë se FIFA, UEFA apo dhe çdo federatë tjetër nuk mund të bëjnë çfarë të duan. Në futboll duhet të flasim për shumë gjëra dhe më pëlqen fakti që janë tronditur pak. Për Superligën kam të njëjtin opinion që kisha, jam kundër”.
Klop është prej kohësh shumë kritik ndaj UEFA-s dhe FIFA-s për kalendarin e ngjeshur. Më parë ai mbajti qëndrim të ashpër edhe ndaj krijimit të Ligës së Kombeve, kur tha: “Është një nga idetë më qesharake në botën e futbollit”. Pastaj kritikoi edhe vendimin e zhvillimit të Botërorit në Katar në dimër: “Ky Botëror vjen në momentin e gabuar dhe për arsye të gabuara. Të gjithë e dinë që ky kalendar nuk është i drejtë, por askush nuk flet. Diçka duhet të ndryshojë”.
Liverpuli është një nga 12 klubet që lançuan projektin e Superligës në prill të 2021-shit dhe që më pas bënë një hap prapa.