Jurgen Klop nuk ka fituar kurrë në “Old Traf ford” në tri vizitat e tij si trajner (2 barazime, 1 humbje). Por trajneri i Liverpulit beson se ata kanë shansin perfekt për të rimarrë vendin e parë në përballjen qe e cilësoi “The Game” (Ndeshja) në konferencën për shtyp. “Reds”-at kanë fituar vetëm 5 herë në “Old Trafford” që prej vitit 1990 dhe vetëm një nga këto suksese ka ardhur që prej vitit 2004. Fitorja e tyre e fundit është 3-0 në mars 2014.
“Nëse do të na pëlqente që ta shikonim siç e shohin shumë njerëz, kjo është ndeshja, ka shumë presion për këdo. Nëse do të humbasim, që unë as e imagjinoj, atëherë do të jemi me pikë të barabarta me Sitin. Kjo është gjëja më e keqe që mund të na ndodhë”, shtoi tekniku gjerman.
“Ne kemi një shans që të luajmë një pjesë të fundit të sezonit të shkëlqyer, duke e nisur me një nga ndeshjet më të vështira. Luajmë në fushën e Junajtid dhe pavarësisht se jemi 20 pikë përpara tyre, nuk ka garanci se ne do të fitojmë, sepse përballë kemi Mançester Junajtid. Ka një arsye përse ata duan të na mundin neve në veçanti. Tani është një ndeshje e madhe. Të gjithë në futboll e dinë se Junajtid-Liverpul është një nga ndeshjet më të mëdha të botës së futbollit. Ne duhet të përgatitemi për këtë”.
Klop u përfol si pasardhësi i Fergit në vitin 2014: “E kam admiruar gjithmonë. Në distancë është më e lehtë. Nuk jam i sigurt nëse do ta kisha bërë po të isha 20 vite trajner këtu te Liverpuli dhe gjithnjë do kishim atë betejë, sepse ai ka qenë tepër ambicioz dhe provokonte gjithnjë përpara Liverpulit. Jam i sigurt se po të ishte sot në stol, nuk do donte që ne të ishim të suksesshëm. Por si njeri është fantastik”.