Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, në një intervistë e pranoi se shpesh ndihet në siklet për sjelljen e tij gjatë ndeshjeve, por ai nuk di të veprojë në ndonjë mënyrë tjetër. Gjermani njihet për reagimet e tij në stol, ku shpeshherë e humb toruan.
Gjyqtarët jo gjithmonë i trajtojnë me dashamirësi reagimet energjike të Kloppit, i cili vetë e pranon se nuk është më i miri kur bëhet fjalë për të shmangur emocionet dhe adrenalinën që i jep futbolli.
“Njerëzit më shohin shpesh shumë të irrituar, duke bërë veprime të ndryshme, madje duke kërcitur dhëmbët. Në momente të veçanta dukem si një idiot në anë të fushës, e di këtë. Jam besoj trajneri që kam marrë më shumë ndëshkime, kartonë të kuq apo gjoba, në Bundesligë. Ironia nuk të ndihmon. Arbitrat nuk mund ta pranojnë lehtë.”
Klopp tregon një episod që i ka ndodhur kur ishte trajner në Gjermani, teksa ironizoi gjyqtarët për vendimet e tyre.
“Mendoj se ishte kartoni im i parë i kuq si trajner. Shkova te gjyqtari anësor dhe i thashë: sa vendime të gabuara lejohen? Sepse, nëse janë 15, mbetet edhe një. Ai ngriti flamurin e tij dhe unë e pashë veten duke shkuar në tribunë”.
Klopp ka përdorur filozofinë e tij të lojës si frymëzim për taktikat e tij te Liverpooli. Sistemi i tij i famshëm “Gegenpressing” (presing i shpejtë dhe intensiv për rifitimin e topit në një zonë të caktuar në gjysmëfushën kundërshtare) shpesh shihet si një nga më intensivët fizikisht në lojë, por Klopp beson se në të vërtetë nuk është aq i vështirë sa duket.
“Nuk duhet të jesh i aftë për të luajtur për Liverpoolin, por për t’iu përshtatur planit tonë. Loja jonë nuk është, në të vërtetë, aq intensive sa duket. Ne bëjmë gjërat që duhen për të kursyer energji. Fitimi i topit menjëherë me një sprint në pak metra. Nëse nuk e fitoni topin atje, duhet të përshkosh 40 apo 50 metra për ta marrë përsëri. Nuk është shumë më lodhëse. Edhe kur jemi duke sulmuar, duhet të kemi lojtarë që janë të gatshëm për të mbrojtur. Sepse i vetmi moment në jetë kur mund të ndiheni të lirë është kur keni mbrojtje.”