Pavarsisht formës jo të mirë që ka shfaqur Liverpooli në këtë sezon të Premier League, Jurgen Klopp në intervistat e dhëna së fundmi ka mohuar kategorikisht një largim të parakohshëm nga stoli i The Reds, duke nënvizuar se do të respektojë kontratën aktuale e cila i skadon në verën e vitit 2024. Megjithatë gazeta prestigjoze gjermane Bild vazhdon të këmbëngulë, se Jurgen Klopp do të jetë trajneri i ri i Gjermanisë pas përfundimit të Botërorit Katar 2022, duke zëvendësuar në këtë post Joachim Low-n.
Jogi pas më shumë se një dekade e gjysmë në stolin e Die Manschaft do të largohet nga drejtimi i Gjermanisë në përfundim të Katar 2022 dhe drejtuesit e Federatës nuk mund t’ia besojnë stolin e ekipit përfaqësues, askujt tjetër përveç se Jurgen Kloppit, që në atë periudhë do të jetë 55-vjeç.
Përgjigjja përfundimtare gjithsesi do t’i takojë trajnerit aktual të Liverpoolit i cili i duhet të vendosë nëse do të largohet apo do të vazhdojë aventurën te The Reds deri në vitin 2024, gjithsesi Bild ka bindjen se Klopp do të provojë një aventurë të re pikërisht në stolin e përfaqësueses gjermane.
Jurgen Klopp është pjesë e Liverpoolit që prej vitit 2015 dhe në këto 5 vite e gjysmë me të kuqtë ka arritur të rikthejë skuadrën te titulli kampion në Premier League pas 30 vitesh dhe ka fituar edhe 1 Champions League.