Jürgen Klopp flet pa “dorashka”. Trajneri i Liverpool dha një intervistë për “Daily Mail”, ku evidentoi zhgënjimin e tij për numrin e lëndimeve që skuadra po vuan këtë sezon, specifikoi kandidatët për të fituar Premier League etj. E nisi nga pushimi për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare: “Unë nuk jam një tifoz i madh i pushimeve ndërkombëtare. Mund ta pyesni gruan time si ndihem. Është një moment shumë nervoz. U ndjeva i shkatërruar nga Joe Gomez, me dëmtimin e tij në gju. E di shumë mirë dhimbjen që ndjen. Anglishtja ime nuk është aq e mirë sa ta përshkruaj saktësisht se çfarë më kaloi në mendje, kur fola me të në telefon”.
Për të shmangur fatkeqësi të tilla, të cilat shkaktojnë probleme serioze për klubet, Klopp bën thirrje për më shumë pushim midis ndeshjeve dhe që Premier League të prezantojë sistemin e pesë zëvendësimeve në ndeshje, siç kanë bërë ligat e tjera europiane: “Njerëzit duhet t’i kuptojnë futbollistët edhe pse thonë: Oh, por ata fitojnë kaq shumë para. Nuk ka të bëjë me këtë. Ata fitojnë kaq shumë, sepse janë të veçantë. Ka aktorë që janë të shkëlqyeshëm, por kurrë nuk do të jenë James Bond. Edhe James Bond fiton më shumë se të tjerët. Me futbollin është e njëjta gjë. Shumë njerëz luajnë futboll, por më të mirët fitojnë më shumë. Sidoqoftë, kjo nuk i bën ata më të fortë për gjithçka në jetë. Shkenca sportive thotë se duhen të paktën 72 orë për t’u rikuperuar nga një ndeshje futbolli. Bëhet fjalë për mirëqenien e lojtarëve”.
Jürgen i bën vetes një pyetje dhe i përgjigjet po vetë: “Pesë zëvendësime apo tre? Zgjidhja më e mirë është pesë”. Nga ana tjetër, për trajnerin e Liverpool, këtë sezon janë tetë skuadra që do të luftojnë për titullin e Premier League: “Nëse do ta fitonim titullin këtë sezon, do të ishte një arritje e madhe. Ndoshta më e madhe se vitin e kaluar, sepse shoh tetë skuadra në garë për t’u shpallur kampione”. Gjermani i përgjigjet edhe pyetjes: Pse jeni një trajner i shkëlqyeshëm? “Më pëlqen ta dëgjoj. Unë jam i mirë në disa gjëra, por në gjithçka tjetër, njerëzit që punojnë me mua janë shumë më të mirë. Unë jam aq i zgjuar sa të ndjek këshillat e tyre”.