Me 10 vota pro, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka pezulluar nga detyra prokurorët Edmond Kariqi dhe Maksim Sota.
Këto vendime janë marrë nga KLP, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Edmond Kariqin dhe “arrest shtëpie” për Maksim Sotën.
Të dy prokurorët akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur.
Ndërkohë, në vend të Edmond Kariqit, si drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, është vendosur prokurori Xhevahir Lita. Ky i fundit do të jetë në këtë detyrë për 3 muaj, deri në 4 tetor 2021.
Po kështu, ai do të ushtrojë detyrën si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, deri më 4 janar të 2022.