Ronald Koeman ka dhënë një intervistë të gjatë për “El Mundo Deportivon”, ku ka folur pa dorashka për Barcelonën e tij, dyshimet që ka për organikën dhe dëshirat e merkatos.
57-vjeçari, duke lënë mënjanë diplomacinë, theksoi: “Ndikojnë shumë faktorë sikurse është situata financiare e klubit. Unë punoj me lojtarët që kam, por nëse më pyet nëse është ekipi ideal për mua, kam dyshimet e mia. Gjërat gjithmonë mund të përmirësohen. Komunikoj shpesh me Planes (drejtori sportiv), për gjithçka i mungon skuadrës. Megjithatë, garda e vjetër e kuptoi se gjërat duhej të ndryshonin”.
Trajneri i Barcelonës më pas la të kuptohej se Eric García, mbrojtësi qendror i City-t, është objektiv i tij, “por gjithçka varet nga Manchesteri”, sikurse Memphis Depay, për të cilin ka vlerësimet më të mira, pasi e ka patur nën urdhrat e tij kur drejtonte Holandën. Pa harruar një bashkatdhetar tjetër: Wijnaldum.
“Është një mundësi për të ardhmen, por nuk mund të them shumë më tepër. Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm.”
Lidhur me skuadrën aktuale, Koeman shtoi: “Pedri është lojtari që më befasoi më shumë për mirë. Griezmann është një sulmues që punon shumë dhe mund të kthehet në nivelin që dëshiron. Kjo varet nga ai. Dembelé po stërvitet shumë dhe po përmirësohet fizikisht. Messi? Ai më tregoi se, pavarësisht problemeve të tij me klubin, dëshiron të vazhdojë të fitojë.”
Nuk mund të mungonte një koment për një objektiv që Barcelonës i mungon prej pesë vitesh: Champions League: “Për ta fituar këtë trofe, duhet të përmirësohemi. Bayern është më i fortë për momentin”.