Sport Koeman: Nuk e di nëse PSG deshi të na destabilizojë duke folur...

Koeman: Nuk e di nëse PSG deshi të na destabilizojë duke folur për Messin

Barcelona do të presë Paris Saint Germain nesër në mbrëmje në “Camp Nou” në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, ndërsa trajneri Ronald Koeman doli në konferencë për shtyp, ku bëri prognozën e ndeshjes së parë 1/8 finale të Ligës së Kampionëve.

Çfarë përshtypjesh ju krijon ndeshja e parë në shtëpi?

Ne e presim përballjen me shumë entuziazëm. E dimë prej një kohë të gjatë shortin, i cili ishte shumë i vështirë për ne, sepse PSG ka një ekip të fortë. Po flasim për një ballafaqim shumë interesant, sepse Barça është përmirësuar në muajt e fundit dhe parizienët kanë cilësi. Do të jenë dy ndeshje interesante dhe të bukura.

Si është Pique fizikisht, a ka mundësi të luajë?

Gerard është mirë, po stërvitet me grupin prej katër, pesë ditësh. Kemi ndjenja të mira për anën fizike të tij, por kam edhe një ditë për të vendosur nëse do të jetë në listën e të grumbulluarve, sepse ka qenë larg për një kohë. Ne do të flasim dhe do të vendosim nesër në mëngjes.

Kur mendoni për boshtin e mbrojtjes, a druheni nga sulmuesit e PSG?

Mbrojtja jona ka luajtur lojëra të mira, gjithashtu ka bërë gabime, sepse kjo është pjesë e lojës. Por, nuk kam dyshime te lojtarët tanë. Është një lojë taktike, në të cilën mendojmë se mund të dominojmë. Pastaj, sipas grupit në dispozicion, do të duhet të merren vendime.

Lëndimi i Neymar…

Ju duhet t’i mbroni këto lloj lojtarësh si Neymar, Messi, Cristiano Ronaldo. Ata duhet të na lejojnë të shijojmë cilësinë e tyre. Arbitrat duhet t’i mbrojnë ata. Por, futbolli gjithashtu ka kontakte. Futbolli është një sport kontakti dhe janë gjyqtarët, ata që duhet të masin kur një ndërhyrje është e ashpër.

Kur u hodh short, PSG dukej më mirë se tani

Pas shortit thashë se besoja te skuadra ime dhe te lojtarët. Ne kemi përmirësuar lojën dhe rezultatet, ndaj e përballojmë këtë raund me ambicie dhe besim.

A është më lehtë për ju ndaj PSG, që luan pa Neymar dhe Di María?

Për çdo skuadër është e rëndësishme të keni të gjithë lojtarët në dispozicion; si Araújo, Sergi Roberto, Ansu Fati, Coutinho. Ju duhet të jetoni me këto probleme dhe të keni lojtarë të tjerë të gatshëm. Nuk kam frikë nga asgjë, sepse u besoj lojtarëve të mi, por ne respektojmë kundërshtarin. PSG ka një histori dhe është kandidat për të fituar trofeun. Secila skuadër ka pikat e forta dhe të dobëta, shpresojmë që nesër t’i shfrytëzojmë.

Çfarë lloj PSG prisni?

Nuk e di, duhet të presim për të parë se si do të luajnë. Janë dy ndeshje dhe nëse e luani të parën jashtë shtëpisë, doni të merrni një rezultat të mirë. Unë mendoj se PSG është një ekip që dëshiron të dominojë. Edhe neve na pëlqen kjo, të kemi topin, të dominojmë dhe të kemi mundësi shënimi. Është shumë e rëndësishme të marrim një rezultat të pastër në ndeshjen e nesërme.

A mund të renditni pikat e forta dhe të dobëta të PSG?

Jo, ne nuk e analizojmë kundërshtarin publikisht. E kam bërë këtë diskutim me lojtarët e mi. Mund të veçoj mbi të gjitha shpejtësinë e Mbappé në sulm. Duhet të kemi mbrojtje shumë të mirë, kur topin e zotëron kundërshtari.

Është një duel interesant edhe në planin individual. Messi kundër Mbappé…

Messi është lojtari më i mirë në botë dhe ne kemi nevojë për të. Që të jetë në formën më të mirë. Mbappé është shumë i shpejtë dhe mund të na i komplikojë gjërat, por ne do të luajmë sa më bukur, sepse kësi ndeshjesh duhen shijuar.

A mund të organizoni mbrojtje të veçantë për Mbappé?

Unë nuk jam në favor të vendosjes së dikujt, me detyra të veçanta të markimit individual. Ajo që duhet të bëjmë është organizimi i miri si skuadër.

A ju ka destabilizuar PSG duke folur për Messin?

Nuk e di nëse ata kishin këtë qëllim. Kjo nuk është tema ime. Tema ime është përgatitja e lojës. Messi është lojtari i Barçës dhe unë shpresoj shumë tek ai.

Ju thatë që Barça nuk ishte ndër favoritët për ta fituar Ligën e Kampionëve. A keni ndjesi të tjera?

Unë nuk thashë që kishte skuadra më të mira, por se kemi lojtarë të rinj, që nuk mund t’iu kërkohet me ngulm fitimi i Ligës së Kampionëve. Ne duam të konkurrojmë me këdo.