Lionel Messi dhe Barcelona janë futur në muajt e fundit të kontratës që lidh palët dhe gjasat janë që në fund të sezonit ylli argjentinas të largohet drejt një tjetër destinacioni, me Parisin e Manchesterin në krye të listës.
Megjithatë trajneri i katalanëve, Ronald Koeman deklaroi se e ka të vështirë të imagjinojë Lionel Messin me fanellën e një klubi tjetër, ndërsa zbuloi se vijon të mahnitet çdo ditë me ato që argjentinasi bën në stërvitje.
“Vijon të mos e imagjinoj dot Messin me fanellën e një skuadre tjetër, përveç asaj të Barcelonës. Më pëlqen që jam trajner i tij, pasi është e pabesueshme të shohësh çdo ditë magjitë e tij në stërvitje. Nuk jam i sigurt nëse do të qëndrojë, por jam besimplotë, pasi ai ka ende shumë për t’i dhënë futbollit dhe këtë mund ta bëjë fare mirë me fanellën e Barcelonës”, deklaroi Koeman.
Ylli argjentinas kërkoi me ngulm largimin edhe gjatë verës, për shkak të përplasjeve të shumta që kishte me presidentin e atëhershëm Joseph Bartomeu, megjithatë katalanët nuk pranuan prishjen e njëanshme të kontratës. Aktualisht te Barcelona presin zgjedhjen e presidentit të ri në muajin mars, për të provuar të bindin Messin të firmosë një kontratë të re me ta.
“Suarez duhej shitur te Juve, jo tek Atletico”
Ronald Koeman ka pranuar që Luis Suarez duhet të shitej te Juventusi dhe jo Atletico Madridi. Kjo do të kishte qenë më mirë për Barcelonën, sepse ka përforcuar një rival direkt në La Liga, i cili po kryeson kampionatin. Karriera e suksesshme 6-vjeçare e Suarez në “Camp Nou” mori fund kur u largua verën e kaluar, për t’u bashkuar “rojiblancos” në këmbim të 6 milionë €.
Suarez ishte i lidhur shumë me bardhezinjtë për muaj me radhë, por transferimi dështoi për shkak të akuzave për mashtrim në një test gjuhe, pasi dorëzoi kërkesën për shtetësi italiane.
Ish-ylli i Barçës ka shënuar 14 gola në 16 ndeshjet e tij të para në La Liga për ekipin e Diego Simeone, duke i ndihmuar të tijtë të krijojnë një epërsi prej 10 pikësh në krye të renditjes, aktualisht. Koeman tani ka pranuar se nuk ishte skenari ideal, që Suarez të bashkohej me një rival spanjoll të nivelit të lartë, por ende beson se blaugrana-t morën vendimin e duhur, kur vendosën largimin e tij:
“Kjo është pjesë e punës sonë. Kur erdha si trajner në Barcelonë, kishim mendimet tona mbi merkaton. Unë kisha informacione nga klubi dhe në fund duheshin marrë vendime. Ju duhet t’i merrni këto vendime, sepse nëse shkon mirë, është në rregull, por nëse nuk shkon mirë, atëherë duhet të pranosh se ke gabuar. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne po ndryshojmë dhe natyrisht, do të kishte qenë më mirë që Luis Suarez të nënshkruante për Juventusin në vend të Atletico Madrid, sepse ai është ende në kampionatin spanjoll. Por, ne duhet ta merrnim atë lloj vendimi, me të vërtetë të fortë, duke treguar respekt për lojtarin. Dhe unë mendoj se kjo është me të vërtetë e rëndësishme. Sidoqoftë, akoma jam dakord me atë që bëmë në atë kohë”.