Holandezi është i shqetësuar për të ardhmen e tij, madje i mërzitur nga mungesa e komunikimit me klubin. Nëse diçka ishte e qartë në konferencën për shtyp, Koeman dëshiron të flasë me Laporta sa më shpejt të jetë e mundur
Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, shpreson se Lionel Messi do të qëndrojë në klub sezonin e ardhshëm. Argjentinasi mund të ketë luajtur ndeshjen e tij të fundit me fanellën blaugrana pasi Komean i dha leje për të munguar në sfidën me Eibar. Messi dëshironte të largohej nga Camp Nou vitin e kaluar, por nuk mundi të largohej falas pasi kontrata e tij skadon këtë verë, ndërsa klubi ende nuk është dorëzuar dhe beson se mund ta bindë të qëndrojë.
“Shpresoj që të vazhdojë këtu edhe për shumë vjet. Ai është një lojtar unik, ka notën maksimale si një profesionist. Nëse nuk qëndron atëherë Barcelonës do t’i duhet të kërkojë efektivitetin te futbollistë të tjerë. Leo ka shënuar 30 gola këtë sezon, dhe e ka ndihmuar jashtëzakonisht skuadrën”.
Pavarësisht rendimentit të Lionel Messit këtë sezon, Barcelona është jashtë garës për titull në La Liga. Katalanasit nuk mund të arrijnë më shumë se vendi i tretë teksa përgatiten për ndeshjen e fundit të sezonit. Natyrshëm që presioni është rritur shumë mbi trajnerin holandez, si rezultat i sezonit zhgënjyes dhe vetë Koeman e pranon se nuk e di nëse do të pushohet.
“Nuk e di nëse do të qëndroj, me të vërtetë që nuk e di. Nuk kam folur me presidentin, dhe do ta bëjmë këtë pas ndeshjes së të shtunës. E kam thënë që nga dita e parë se do të doja të vazhdoja. Ne na duhet të ndryshojmë disa gjëra, por unë dua të vazhdoj. Fjalën e fundit do ta ketë presidenti”.
E ardhmja – “Kohët e fundit, dua të them muajin e fundit, mendoj se duhej më shumë respekt për trajnerin, lojtarët. Unë e kuptoj që janë prekur, sepse ndeshjet e fundit nuk kemi bërë mirë. Pakënaqësitë janë shfaqur edhe në shtyp, por nuk e meritojmë këtë trajtim. Ka shumë gjërat që duhet t’i bëjmë ndryshe”.
Respekt dhe besim – “Në pjesën e fundit të sezonit nuk e kam ndjerë besimin e klubit. Nuk kemi folur për të ardhmen time dhe e kuptoj se ka dyshime për rezultatet. Unë e kuptoj që duhet të bëhen ndryshime për të fituar. Ndoshta duhen lojtarë të tjerë, por duhet të komunikosh”.