Nesër në Kuvend do shqyrtohet çështja aq shumë e diskutuar, vota e emigrantëve si dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ende nuk dihet nëse palët politike do arrijnë konsensusin, ndërkohë që koha është në limite.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi u shpreh sot se ky institucion ka “ndërtuar strukturën administrative të posaçme që ka përgjegjësi të dedikuar për votimin nga jashtë.”
Sipas Celibashit përgjatë muajve të fundit janë kryer konsulta të shumta me organizatat e shoqërisë civile jashtë Shqipërisë.
“Nëse Kuvendi i Shqipërisë do kalojë ato çfarë mediatikisht përflitet, do duhet ta besojmë që ka qenë pjesë e kësaj shtyse dhe gjithë asaj që ne si institucion kemi bërë. Jemi konsultuar me organizatat e shoqërisë civile, më shumë me ato jashtë vendit. Ky proces ka qenë i shëndetshëm për palët pjesëmarrësit. Ndërgjegjësimi dhe gjithë aksioni që KQZ duhet të marrë për të informuar të gjithë votuesit që banojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Ne kemi zhvilluar aktivitete që lidhen me ndërgjegjësimin.”
“Pak kohë kemi në dispozicion, të paktën të mundësojmë votimin e atyre që kanë një interes. Sa i përket regjistrimit dhe identifikimit, do duhet të presim Kuvendin. Nga drafti kam parë që KQZ do shohë të gjitha kërkesat, ne kemi prezantuar disa elementë të sistemit për regjistrimin që do ofrojë garanci për integritetin e procesit. Do ketë dhe mekanizma monitorues të partive politike, për të parë që procesi zhvillohet në përputhje me Kodin Zgjedhor”, përfundoi Celibashi.
Por çfarë propozojnë partitë kryesore për votën e diasporës?
Drafti i PS: Zgjedhësit jashtë vendit duhet të regjistrohen në listën e zgjedhësve. KQZ duhet të nisë hartimin e listës së zgjedhësve jashtë vendit 100 ditë para zgjedhjeve dhe e përfundon përpilimin e saj duke e bërë publike listën 50 ditë larg nga data e zgjedhjeve. Herësi të mos jetë më i madh se 7 mijë vota!
Drafti i PD: Lista e zgjedhësve jashtë vendit është një e vetme dhe përmban të gjithë shtetasit shqiptarë që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. KQZ përzgjedh me procedurë të hapur një operator postar me eksperiencë për procesin.
Si opozita, ashtu dhe mazhoranca bashkohen në një pikë: Që shpërndarja e votave të bëhet sipas qarkut ku emigrantët kanë jetuar më parë.