Komandanti i operacioneve të Hezbollahut, Ibrahim Aqil besohet të jetë në mesin e të vrarëve nga një sulm raketor izraelit në Bejrut.
Dy burime të sigurisë thanë për Reuters se Aqil u vra në sulmin e ndodhur në periferitë jugore të kryeqytetit, që në total shkaktoi 8 viktima dhe la 59 të tjerë të plagosur.
Një nga burimet konfirmoi se ai u vra së bashku me anëtarët e njësisë elitare të Hezbollahut, “Radwan”, teksa po zhvillonin një takim.
Për këdo që do të siguronte informacione të besueshme për vendndodhjen e Aqil, SHBA kishte ofruar më parë një shpërblim prej 7 milionë dollarësh.
Uashingtoni e cilësonte atë si “anëtarin kryesor” të grupit që bombardoi ambasadën e SHBA në Bejrut në vitin 1983, duke vrarë 63 persona dhe për sulmin në kazerma po në të njëjtin vit, ku mbetën të vrarë 241 anëtarë të personelit amerikan në Liban.
Korrespondenti ndërkombëtar i Sky News, John Sparks tha se vdekja e Aqil do të trondiste Hezbollahun pasi tregon se organizata është “plotësisht e paaftë për të mbrojtur jo vetëm anëtarët por dhe komandantët e lartë të saj”.
Me goditjen e vendndodhjes së Ibrahim Aqil u shënua hera e dytë në më pak se dy muaj që Izraeli vë në shënjestër një komandant të lartë të Hezbollahut. Në korrik, nga një sulm ajror izraelit u vra edhe Fuad Shukr, komandanti më i lartë ushtarak i grupit militant.